BDI hesht për zgjedhjet në degë dhe përjashtimin e GZ/ Mexhiti: BDI në anarki, mbajnë mbledhje pa kuorum

TË FUNDIT

Heshtje në BDI një ditë pas raportimit të TV21 se partia po përgatitet për të zgjedhur kryetarë të rinj në degët që drejtohen nga “grupi i zjarrit” dhe se në një mbledhje të kryesisë, pa pjesëmarrjen e “grupit të zjarrit” është shprehur mendim unanim për përjashtimin e tyre nga organet e partisë.

TV21 qëndrim kërkoi si nga zëdhënësi Bujar Osmani, po ashtu edhe nga koordinatori i procesit zgjedhor Ejup Rustemi, por nga asnjëri nuk morëm përgjigje. Ai që e konfirmon mbledhjen e kryesisë pa praninë e fraksionit “grupi i zjarrit” është një nga drejtuesit e këtij grupi, Izet Mexhiti. Sipas tij, BDI është futur në anarki të thellë dhe se sipas tij në atë mbledhje është ardhur në konstatim se parimi “një anëtar një votë” nuk vlen për zgjedhjet nëpër degë dhe se një iniciativë e thjeshtë e një anëtari a qytetari në Gjykatën Administrative, sipas Mexhitit, mund ta lërë Ali Ahmetin pa degë partiake.

“Kanë mbajtur një mbledhje të fshehtë të kryesisë qendrore ku nga 33 anëtarë, vetëm 7 apo 8 anëtarë dhe dy anëtarë nga këshilli i përgjithshëm. Pra edhe kjo është një mbledhje jostatutare. Ku debatohet se a duhet të përjashtohet grupi i zjarrit dhe këtë ta bëjnë në mënyrë perfide siç shkarkuan funksionarët e grupit të zjarrit dhe kur i dëgjon në media thonë se i kemi dhënë vendet për Aleancën. Bëhet pyetja pse bash ato vende duhet t’i jepen Aleancës? A bash ato vende i kërkoi Aleanca?”- tha Izet Mexhiti, Nënkryetar I BDI-Së / Fraksioni

 

 

Sa i përket përjashtimit të mundshëm të “grupit të zjarrit” nga organet e partisë, Mexhiti tha se gjëja më e lehtë është formimi i një partie të re, por sipas tij kjo është temë që të tjerët po përpiqen ta imponojnë, sepse ata nuk duan ta defaktorizojnë votën shqiptare.

Formimi i partisë politike, askush s’ka dilema se ne mund ta formojmë. Brenda ditës mund të mblidhen një mijë nënshkrime. Nuk kemi dashtë të defaktorizojmë votën shqiptare. Kemi dhënë të gjitha provat të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje që ta bashkojmë, unifikojmë dhe forcojmë faktorin shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Mirëpo nuk mund të rrim dhe të heshtim kur dikush thërret për front evropian për bashkimin e shqiptarëve ndërsa i përçahet partia e tij.”- deklaroi IZET MEXHITI, deputet I BDI-së.

 

 

Procesi i zgjedhjet së kryetarëve të rinj të degëve të BDI-së pritet të përfundojë brenda qershorit. Për degën e Çairit kandidatët që përfliten janë Adrijan Muça, Abdylselam Selami dhe Bekim Neziri. Jozyrtarisht mësohet se edhe një grup njerëzish të afërt me Nazim Bushin ka këmbëngulur për ta marrë në drejtim degën e Çairit, por burimet thonë se ky grup mund ta përkrahë edhe kandidaturën e Bekim Nezirit.