BDI: Gashi po e mban ligjin prapa derës! VLEN kundërpërgjigjet: BDI po punon kundër shqiptarëve

TË FUNDIT

Ligji për përfaqësim të drejtë duket se ka mbetur i bllokuar në procedurat kuvendore, pasi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nuk e ka vendosur atë për votim. Nga BDI thonë se ky ligj, së bashku me disa të tjerë, ndodhet në sirtarin e Gashit dhe presin momentin kur opozita nuk do të jetë në seancë dhe atëherë ai do t’i vendosë për votim.

“Ne jemi këmbëngulës në mbrojtjen e konceptit tonë se ky ligj nuk duhet të kalojë dhe se ne si opozitë e kemi shumicën e Badenterit. Ligji për përfaqësim të drejtë aktualisht është i varur pas derës dhe pret momentin për t’u kontrabanduar, gjë që mendoj se nuk do ta lejojmë. Nëse kryetari i Kuvendit e vendos në rend dite, ne do ta tejkalojmë me vota, përkatësisht ky ligj nuk do të kalojë”, tha Ilir Hasani nga BDI.

Nga VLEN u kundërpërgjigjën se BDI, duke mos e votuar ligjin për përfaqësim të drejtë, drejtpërdrejt po shkon kundër interesave të shqiptarëve.

“Çfarë nuk po përjetojnë më shqiptarët? Ali Ahmeti po e bllokon Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, duke goditur një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Pse? Për shkak të etjes për pushtet! Udhëheqësia e pareformuar e BDI-së, e dëshpëruar që shqiptarët e dërguan në opozitë, tani po ndërmerr veprime që shkojnë drejtpërdrejt kundër interesave të shqiptarëve”, tha Driton Sulejmani nga VLEN.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ligji për përfaqësim të drejtë është në procedurë kuvendore dhe se nëse do të miratohet apo jo, është çështje e deputetëve.

“Ato ndodhen në procedurë kuvendore dhe nga ky moment është në kuadër të parlamentit, jo në kuadër të Qeverisë. Ne si Qeveri kemi krijuar zgjidhje, ato zgjidhje kanë kaluar të gjitha filtrat, të gjitha procedurat dhe tani janë në parlament. Kjo është çështje e deputetëve”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ligji ka kaluar të gjitha procedurat kuvendore, por kur erdhi momenti për votim, Gashi e ndërpreu seancën. Për miratimin e këtij ligji nevojitet Badenteri i vogël, përkatësisht shumica e deputetëve të pranishëm nga bashkësitë etnike. Opozita, e cila e ka shumicën sipas parimit të Badenterit, nuk pajtohet me zgjidhjen ligjore.