Anulimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese i lejes për shkollën e mesme private “Medreseja Isa Beu” në Kondovë, që u soll nga pushteti i kaluar, shkaktoi akuza të ndërsjella mes BDI-së dhe VLEN-it. Nga VLEN thonë se kjo është edhe një provë për premtimet boshe dhe manipulimet e BDI-së por edhe për nënshtrimin e partnerëve të saj. Sipas tyre, akreditimi i rrejshëm është goditje për qytetarët të cilët, siç pohojnë, ishin manipuluar me heshtjen e BFI-së.
“Ky është dështim personal i Ali Ahmetit dhe i klikës së tij, që gjithmonë kanë luajtur me ndjenjat fetare të shqiptarëve, vetëm për interesa të ngushta politike. Sot doli e vërteta në shesh se medreseja nuk është akredituar kurrë në mënyrë të ligjshme dhe se BDI vetëm e përdori nëpër fushata, siç përdor çdo simbol, çdo ndjenjë, çdo nevojë të shqiptarëve për t’i mashtruar”, thotë VLEN.
Nga BDI vendimin e gjykatës kushtetuese e vlerësuan si antikushtetuese dhe siç thonë, paraqet goditje të drejtpërdrejtë ndaj lirisë fetare dhe dinjitetit të bashkësisë islame. Njëkohësisht e kritikojnë VLEN për shkak se nuk reagojnë për këtë vendim.
“Në vend që të protestojnë, ata heshtin. Në vend që të japin dorëheqje, ata justifikojnë. Në vend që të mbrojnë qytetarët, ata mbrojnë karriget dhe shefat e tyre. Nuk janë përfaqësues – janë shërbëtorë të bindur të një pushteti që po e rihap projektin për një shtet një-etnik, pa vend për të tjerët”, thotë BDI.
Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës kushtetuese reagoi edhe Bashkësia Fetare Islame prej ku thonë se janë të shqetësuar thellë dhe nuk pajtohen me vendimin e gjykatës kushtetuese.
“BFI do të presë pranimin zyrtar të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Më pas do të analizojë dhe do të ndërmarrë hapa konkretë juridikë. BFI i siguron nxënësit e Medresesë̈ të qëndrojnë̈ të qetë se BFI, në koordinim dhe bashkëpunim me Qeverinë̈, institucionet relevante, faktorin politik dhe atë ndërkombëtar, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar akreditimin e Medresesë”, thotë Bashkësia Fetare Islame e RMV-së.
Gjykata kushtetuese dje solli vendim për anulimin e vendimit të qeverisë që u soll vitin e kaluar për themelimin e shkollës së mesme Medreseja në Kondovë të Shkupit. Në arsyetim thuhet se vendimi i qeverisë është i paligjshëm dhe kundër Kushtetutës sepse ka lejuar që BFI të jetë themeluesi i shkollës së mesme.
