Policia ka arrestuar dy persona nga Shkupi pasi gjatë një kontrolli në një banesë në zonën e Kisella Vodës janë gjetur dhe konfiskuar lëndë narkotike, një peshore digjitale dhe para.
Sipas MPB-së, kontrolli është kryer më 9 korrik, me urdhër gjyqësor, ndërsa në objekt është gjetur edhe njëri nga personat e arrestuar. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tyre pritet të ngritet kallëzim përkatës penal.
“Më 09.07.2026, në ora 22:20, zyrtarë policorë nga Njësia për Tregti të Paligjshme pranë SPB Shkup kanë privuar nga liria P.J. (38) dhe D.R. (28), të dy nga Shkupi. Arrestimi është bërë pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e P.J., në zonën e Kisella Vodës, me urdhër paraprak gjyqësor, ku ishte i pranishëm edhe D.R., janë gjetur dhe konfiskuar një materie e bardhë në formë kokrrizash, marihuanë, një peshore digjitale dhe para. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të parashtrohet kallëzim përkatës penal”, thonë nga MPB.
