Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje në telefon ka biseduar me presidentin francez Emmanuel Macron për propozimin që ai dhe njeriu i parë i Këshillit Evropian Sharl Mishel kanë dhënë për formimin e një Komuniteti evropian gjeopolitik në të cilin do të bënin pjesë vendet kandidate për anëtarësim në BE. Kovaçevski thotë se këto janë ende konsiderata, por pret që të mos jetë zëvendësim për procesin e integrimeve evropiane dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Për momentin, këto janë mendime dhe koncepte që nuk janë paraqitur ende në Këshillin Evropian. Situata e re gjeopolitike në botë dhe në Evropë, veçanërisht duke pasur parasysh luftën në Ukrainë pas agresionit rus, sigurisht që kërkon që Bashkimi Evropian si komuniteti më i madh i vendeve në Evropë të marrë në konsideratë zhvillimin e tij të mëtejshëm, por megjithatë në Bashkimin Evropian ekziston një procesi i zgjerimit në të cilin jemi pjesë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kryetari i opozitares VMRO-DPMNE nuk pajtohet me këtë propozim dhe thotë se Bashkimi Evropian po zbaton standarde të dyfishta për Maqedoninë, edhe pse ne e kemi merituar prej kohësh vendin tonë në Union.
“Maqedonia nuk ka vend në ligën e dytë sepse si MVP deri më tani ka bërë për të Evropën si askush tjetër. Pra, Maqedonia është MVP në atë klub dhe duhet të jetë në top pesëshen në ligën e parë. Mendoj se është koha që Evropa të bëhet parimore në premtimet e saj dhe së paku Maqedonia të mos zbatojë standarde të tilla të dyfishta. Duhet të ketë presion të fuqishëm dhe të menjëhershëm ndaj Sofjes që Maqedonia të nisë bisedimet pa asnjë lëshim pa asnjë nënçmim”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Presidenti i Këshillit Evropian Sharl Mishel përcolli njoftimin e presidentit francez Macron për formimin e një strukture të re politike nga vendet që ende nuk kanë nisur negociatat dhe themeli i të cilave do të jetë Bashkimi Evropian.
“Unë bëj thirrje për krijimin e një Komuniteti Gjeopolitik Evropian. Qëllimi është krijimi i afrimit dhe thellimi i bashkëpunimit operacional për të përballuar sfidën e përbashkët të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në kontinentin tonë”, tha Sharl Mishel, president i Këshillit Evropian.
Mishel gjithashtu shprehu pritjen se zbatimi i këtij propozimi mund të fillojë kah mesi i vitit pas mbajtjes së Këshillit të Evropës, ku nuk pritet që Maqedonia të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian. “Unë do të propozoj mbajtjen e një konference ku liderët e anëtarëve të Bashkimit Evropian do të takohen për të diskutuar opsionet konkrete,” tha Mishel në Komitetin për Çështjet Ekonomike dhe Sociale.
