Bashkimi Evropian ka një përgjegjësi strategjike për Groenlandën, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shfaqin interes të shtuar për këtë territor autonom danez. Kështu deklaroi sot ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij letonez, në Riga.
“Siguria e Arktikut është e pandashme nga siguria jonë, nga siguria evropiane”, theksoi Barrot.
Ai shtoi se Franca qëndron në solidaritet të plotë me Danimarkën. “Ne e mbështesim Danimarkën dhe presim të njëjtën mbështetje e solidaritet nëse do të ishim në një situatë të ngjashme”, u shpreh ministri francez.
Deklaratat vijnë në një klimë të tensionuar transatlantike brenda NATO-s, pas sinjaleve të përsëritura nga Uashingtoni për marrjen e kontrollit mbi Groenlandën. Në këtë kontekst, vendet evropiane kanë nisur të forcojnë praninë ushtarake në ishull.
Pas Danimarkës, e cila dërgoi dy avionë transporti për trupa, edhe Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia kanë vendosur personel ushtarak në Groenlandë.
Sipas Barrot, Parisi do të dërgojë burime shtesë në ditët në vijim. Ai theksoi se Groenlanda është territor evropian dhe ndodhet nën mbrojtjen e NATO-s.
“NATO dhe aleatët e saj janë plotësisht të aftë të mbrojnë territorin e tyre nga çdo kërcënim, pavarësisht nga origjina e tij”, deklaroi ai.
Ministri francez kujtoi gjithashtu vizitën e tij në Groenlandë më 31 gusht, ku kishte hipur në një anije ushtarake franceze të ankoruar në ishull dhe kishte marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta me Marinën Suedeze, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet lokale.

