Mbrojtësi i Kombëtares së Turqisë, Abdulkerim Bardakci, ka komentuar incidentet me fishekzjarre para ndeshjes me Kosovën dhe fishkëllimat gjatë intonimit të himnit turk mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ai tha se përvojat e mbrëmjes i mësuan diçka të re, raportojnë mediat turke.
“Mësova diçka të re mbrëmë. Një turk nuk ka mik përveç një tjetri turk. Kjo u konfirmua mbrëmë. Të gjitha ato, fishekzjarrë dhe fishkëllimat gjatë himnit kombëtar, ishin shumë të pakëndshme. Megjithatë, ata janë vendi ynë vëllazëror”, deklaroi Bardakci.
Ai luajti 90 minuta në fitoren e Turqisë ndaj Kosovës dhe shtoi se ekipi është i kënaqur me kualifikimin në Botëror.
“Shpresojmë të bëjmë gjëra të mëdha edhe atje”, tha Bardakci.
