Banori i Gostivarit kapet duke vozitur me 178 km/h, në zonë ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h!

TË FUNDIT

Një banor i Gostivarit u kap duke vozitur me shpejtësi 178 km/h jashtë vendbanimit, në një zonë ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h, ka konstatuar policia me ndihmën e automjetit special, përcjell TV21.

Automjeti është konfiskuar, ndërsa shoferi K.I. (44) nga Gostivari do të përballet me sanksione sipas dispozitave të nenit 297-a dhe 300-b të Kodit Penal.

“Në rrugën Gostivar–Tetovë, nga ana e zyrtarëve policorë të Njësisë Mobile për Sigurinë e Trafikut Rrugor pranë Sektorit për Çështje të Trafikut, me ndihmën e një automjeti special “gjurmues” të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u regjistrua shpejtësia e një veture “Mercedes” me targa të Gostivarit prej 178 kilometra në orë jashtë vendbanimit, ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga MPB bëjnë të ditur se kontrollet rrugore me automjete speciale do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme në gjithë territorin e vendit, me qëllim të ndëshkimit të shkelësve, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së pjesëmarrësve në trafik.

“Ngasja me shpejtësi mbi të lejuarën është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve në trafik, të cilat shpesh përfundojnë me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. U bëjmë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe dispozitat, me çka së bashku do të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, thonë nga MPB.