Banka Botërore paralajmëron “katastrofë njerëzore” si pasojë e krizës së ushqimit

TË FUNDIT

Bota po përballet me “katastrofë njerëzore” nga kriza e ushqimit që u krijua si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, ka thënë presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, për BBC.

Malpass ka paralajmëruar se rritja rekorde e çmimeve të ushqimit po shtynë qindra miliona njerëz drejt varfërisë.

“Është katastrofë njerëzore, duke nënkuptuar se do të ketë kequshqyerje. Por, më pas bëhet edhe sfidë politike për qeveritë që nuk mund të bëjnë asgjë për këtë. Ato nuk e kanë shkaktuar këtë dhe shohin çmimet duke u rritur”, tha Malpass.

Banka Botërore llogarit se do të ketë rritje masive prej 37 për qind të çmimit të ushqimit.

“Po prek ushqimet e gjitha llojeve – vajin, drithërat”, tha ai.

Presidenti i Bankës Botërore ka shtuar se si me rastin e pandemisë COVID-19, kriza e ushqimit do të godasë po ashtu më tepër të varfrit, pasi ata “do të hanë më pak dhe do të kenë më pak para për çdo gjë, përfshirë edhe shkollimin”.