Bamirësit ndihmojnë familjen nga Hasanbegu, më shumë se 800 euro janë mbledhur për 24 orë

TË FUNDIT

-Nuk kemi xhirollogari, mund të vini te shtëpia, nëse keni mundësi.
-Nga jeni ju?
-Prej Sarajit.

Pas kronikës së Televizionit 21, telefonatat për ndihmë tek familja Arifi në Hasanbeg të Shkupit nuk kanë të ndalur. Në më pak se 24 orë mbi 800 euro u mblodhën nga bamirësit e shumtë që zgjatën dorën.
“Mbrëmë m’i kanë sjellë 50 euro, edhe sot këshilli i fshatit të Hasanbegut i ka sjellë 450 euro, edhe po më lajmërohen në telefon, edhe në xhirollogari në WesternUnion m’i ka kanë lëshuar 200 euro, duhet të shkoj t’i marr. Kështu që faleminderit ka bamirës zoti i shpërbleftë me të mira, zoti u dhashtë me thes.”- thotë Rejhane Arifi.

Më të gëzuarit dukeshin fëmijët e Rejhanes.

-Na kanë ndihmuar me të holla, ushqime jo vetëm të holla.
-Çfarë kërkoni ju?
-Ne kërkuam shtëpi dhe ushqime.
-A je ndjerë e gëzuar kur t’i sollën të hollat?
-Po shumë.

-A erdhën të të ndihmojnë njerëzit prej dje?
-Po.
-Çfarë të ndihmuan?
-Të holla.
-Po çfarë kërkon ti tjetër?
-Shtëpi.

Liridon Baftiu, Drejtori i Qendrës për punë sociale në Shkup, tregoi për TV21 se sot ekipi ka dalë në terren për të parë gjendjen e kësaj familje dhe kanë konstatuar që i gëzojnë të drejtat e këtij institucioni.

“Familja është shfrytëzuese e ndihmës minimale të garantuar apo asistencës sociale siç njihet, të kompensimit për shkak të pengesave për sëmundjet të cilët i kanë dhe kompensimin për ndihmë nga personi tjetër apo siç njihet në popull të drejtën e “tugja negës”. Patjetër që për fëmijët marrin edhe shtesa fëmijërore dhe shtesa arsimore.”- deklaroi Liridon Baftiju, Drejtor i Qendrës për Punë Sociale Shkup.

Përveç kësaj, Baftiu u shpreh se këtë familje do ta orientojnë se ku të aplikojnë për banesë sociale, sepse kjo nuk është në kompetencat e Qendrës Sociale, por varet nga institucione të tjera.

Përndryshe, kjo familjeje 6 anëtarëshe kërkon ndihmë financiare sepse siç u shprehën të ardhurat mujore nuk u dalin as për ilaçe.