Ballkani Perëndimor themelon Qendrën e Përbashkët për Hulumtime

TË FUNDIT

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë themeluar të premten një qendër e përbashkët për hulumtim dhe inovacionet, e cila pritet që do të zgjeroj hapësirën për thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit në fushën e shkencës dhe përparimeve teknologjike.
Gjatë një takimi në Split të Kroacisë, ministrat për arsim dhe shkencë të Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë kanë nënshkruar marrëveshjen për ngritjen e Qendrës për Hulumtim dhe Inovacion të Ballkanit Perëndimor (WISE), e cila do të shërbej si strumbullar të bashkëpunimit dhe këmbimit në rrafshin e hulumtimeve shkencore.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC) me seli në Sarajevë, Goran Svillanoviq, ka thënë me këtë rast se qendra WISE do të ndihmoj shumë në institucionalizimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit shkencor mes vendeve të rajonit. “Kjo sidomos vlen për tregtinë, industrinë dhe ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, sepse sigurohet mekanizmi për transferimin e inovacioneve,” ka thënë ai.

Qendra për Hulumtim dhe Inovacion të Ballkanit Perëndimor do ta ketë statusin e një organizate ndërkombëtare, në kuadrin e së cilës do të zhvillohen aktivitetet e përfaqësuesve dhe ekspertëve nga i gjithë rajoni, por edhe vendeve të tjera evropiane. Në funksionimin e qendrës do të përfshihen edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Bankës Botërore, si dhe ndërmarrësve dhe ekspertëve nga e gjithë bota që merren dhe investojnë në teknologjitë bashkëkohore.

Duke e mbështetur në emër të RCC projektin për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e hulumtimit dhe inovacionit, Svillanoviq ka thënë se ky format i avancuar bashkëpunimi mes shteteve rajonale do tu hapte atyre rrugën për inkuadrim në programe simotra relevante të Bashkimit Evropian. “Me ndërtimin e kapaciteteve për t’iu bashkangjitur programeve simotra të BE-së ne punojmë direkt në ngritjen e kapaciteteve institucionale për procesin e afrimit me Bashkimin Evropian,” ka përfunduar ai.