-Ballkani i Hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për të shtyrë përpara procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Mjaftonin këto fjalë të kryeministrit shqiptar Edi Rama që të gjithë aktorët politikë në Maqedoni por edhe më gjerë, e të cilët ishin kundër Ballkanit të Hapur, të thonë se u vërtetuan qëndrimet e tyre fillestare për këtë proces. Edhe pse krerët e tre shteteve nga Maqedonia, Shqipëria e Serbia vazhdojnë me projekte të ndryshme të përforcojnë këtë iniciativë, e njëjta hasë në mosmbështetje nga opozita në Maqedoni, madje edhe nga partia në pushtet, Aleanca për Shqiptarët. Kryetari i kësaj partie Arben Taravari, thotë se desolidarizohen nga çdo nismë e Qeverisë në korniza të Ballkanit të Hapur. Sipas tij, këtij mekanizmi nuk i ka ngelur kuptim e as legjitimitet pasi Shqipëria ka braktisur të njëjtën.
“Dua të siguroj qytetarët se Aleanca për Shqiptarët desolidarizohet nga çdo nismë e re të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në kuadër të mekanizmit tanimë të abortuar të njohur si Ballkani i Hapur. Me daljen e Republikës së Shqipërisë nga Ballkani i Hapur, këtij mekanizmi nuk i ka ngelur as kuptim e as legjitimitet”, pohoi Arben Taravari – Kryetar i ASH-së.
Kundër këtij projekti është edhe Lëvizja Besa. Ata thonë se promovimi i djeshëm për pikëpagesat në Preshevë, konfirmon se Qeveria ka sytë kah Serbia dhe Rusia. Ata kërkojnë që të hiqet dorë nga ky projekt dhe të mbështeten qëndrimet e Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut të distancohet nga projekti “Ballkani i Hapur”. As që dyshonim ndonjëherë se kjo qeveri është kahëzuar në drejtim të realizimit të projekteve serbo-ruse por me aktin e djeshëm, vulosën paralajmërimet e Lëvizjes Besa të cilat dëshmonin se përbërja qeveritare është mashë në duart e projekteve anti kombëtare”, theksoi Abdush Demiri – Sekretar Gjeneral i Lëvizjes Besa.
Projekti i djeshëm bëri që të reagojnë edhe nga grupi i zjarrit. Nga ky grup thonë çdo projekt i cili përfshinë Serbinë dhe jo Kosovën, nuk sjellë asgjë të mirë për rajonin.
“E kemi thënë që në fillim, nuk jemi konsultuar për iniciativën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç ‘Ballkani i hapur’, nuk e kemi pranuar asnjëherë, nuk i kemi pasur të njohura qëllimet e tij, as rezultatet potenciale në të ardhmen, rrjedhimisht edhe kemi qenë kundër. Asnjë iniciativë e çfarëdollojshme regjionale, politike apo ekonomike, në të cilën është Serbia dhe nuk është Kosova, nuk mundet të sjellë asgjë të mirë për regjionin. Përshëndesim tërheqjen nga kjo nismë të kryeministrit Rama duke potencuar që BDI dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po mbeten aleati i fundit i Aleksandar Vuçiçit”, thonë nga GZ.
Televizioni 21 kërkoi qëndrim edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim por deri në këto momente nuk morëm përgjigje. Në ngjarjen e djeshme në kuadër të Ballkanit të Hapur që u mbajt në Preshevë të Serbisë i pranishëm ishte drejtori i NP Rrugëve shtetërore Ejup Rrustemi.
Ndryshe nga subjektet politike të lartpërmendura, kreu i Qeverisë Dimitar Kovaçevski është i bindur se Ballkani i Hapur ka të ardhme të ndritur. Ai dje në Preshevë u shpreh se madje synojnë heqjen e tërësishme të kufijve në Ballkan dhe qytetarët të lëvizin lirshëm, ashtu siç bëjnë shtetet evropiane mes vete. Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, madje shpreson që Ballkani i Hapur do të zgjerohet edhe me shtete tjera, duke iu bashkangjitur Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi. Interes sipas saj, kanë shprehur edhe Kroacia e Greqia.