Presidenti i SHBA-së Xho Bajden e akuzoi paraardhësin e tij Donald Tramp se paraqet kërcënim të vazhdueshëm për demokracinë amerikane në fjalimin e përvjetorit të sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitollit nga mbështetësit e Trampit të cilët u munduan të kthejnë humbjen e tij zgjedhore në vitin 2020.
Duke folur në ndërtesën ku ndodhën trazirat më 6 janar të vitit 2021, Bajden paralajmëroi se pohimet e rrejshme të Trampit se zgjedhjet janë grabitur përmes mashtrimit zgjedhor mund të ekspozojnë sundimin e ligjit dhe të dëmtojë zgjedhjet e ardhshme.
“Duhet të jemi absolutisht të qartë për atë se çka është e vërtetë dhe çka gënjeshtër. Ja e vërteta: Ish presidenti i SHBA-së krijoi dhe përhapi rrjet të gënjeshtrave për zgjedhjet e vitit 2020. Ai e bëri këtë sepse më shumë e vlerëson fuqinë se sa parimet”, theksoi Bajden.
“Para një viti në ditën e sotme në këtë vend ishte sulmuar demokracia. Thjeshtë e sulmuar. Vullneti i popullit ishte sulmuar. Kushtetuta, Kushtetuta jonë, përballet me kërcënime më të mëdha.
Bajden shtoi se “për herë të parë në historinë tonë një president jo vetëm që i ka humbur zgjedhjet, por ka bërë përpjekje të parandalojë transfer të qetë të pushtetit”. Bajden e dënoi Trampin sepse i ka shikuar trazirat në televizion “dhe nuk ka ndërmarrë asgjë me orë të tëra”.
Sipas anketës së Rojters/Ipsos, rreth 55 për qind e votuesve republikanë besojnë në pohimin e rrejshëm të Trampit, i cili ishte hedhur poshtë nga dhjetëra gjykata, reparte zgjedhore shtetërore dhe anëtarë të administratës së Trampit.
Katër persona humbën jetën në kaosin disaorësh, ndërsa një polic vdiq një ditë më vonë, ndërsa katër më vonë u vetëvranë. Të lënduar ishin gjithsej 140 policë.
