Bajden: Debati me Trampin do të zhvillohet vetëm nëse presidenti është shëndoshë

TË FUNDIT

Kandidati demokrat për president, Xho Bajden ka deklaruar se do të anulojë debatin e dakorduar me Donald Tramp, për më 15 tetor në Majami nëse presidenti i SHBA-së është ende i sëmurë nga koronavirusi, transmetojnë mediat franceze.

“Unë me padurim pres të debatoj, por shpresoj që të gjitha protokollet të ndiqen”, deklaroi Bajden, 77 vjeç, para gazetarëve pasi u kthye nga Getisburg.

Tramp, 74 vjeç, të premten, vetëm dy ditë pas debatit të tij të parë me Bajden në Klivlend, publikoi se ai rezultoi pozitiv me koronavirus.

Bajden dhe Tramp do të takohen përsëri më 15 tetor, por Bajden tha se “nëse ai ka ende Kovid-19, nuk duhet të kemi debat”.

Në protokollet nga qendrat për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve, thuhet se njerëzit që rezultojnë pozitivë për virusin duhet të qëndrojnë në shtëpi të paktën 10 ditë pasi të shfaqen simptomat e para, ndërsa personave që sëmuren rëndë mund t’u duhet të qëndrojnë në shtëpi deri në 20 ditë.