Baçev: Keqpërdorime prej 10 milionë eurove

TË FUNDIT

Kryetari i Lëvizjes për Maqedoni, Janko Baçev drejtoi sot akuza ndaj Odës për Siguri Private, duke theksuar se bëhet fjalë për subjekt të paligjshëm juridik dhe për një organizatë fantome, e cila sipas tij, nuk është e regjistruar në Regjistrin Qendror të Maqedonisë.

“Nëntoka policore nëpërmjet kësaj ode fantome, deri tani në këto 15 vite, ka dhënë më shumë se 20 mijë leje dhe legjitimacione zyrtare. Kjo është bërë në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet  këtij subjekti anonim juridik, ku janë përfituar rreth 10 milionë euro“, theksoi Janko Baçev, kryetari i lëvizjes popullore për Maqedoni.

Baçev publikoi dokumente nga gjykata komunale Shkupi 1 dhe regjistri qendror, ku shkruhet se kjo organizatë nuk është regjistruar si subjekt juridik. Dokumentet e prezantuara sipas tij janë nga vitet 2006, 2007 dhe 2008.

Por, kundër akuzave të tij ka reaguar  kryetarja e Dhomës për siguri private, Verica Mileska –  Stefanovska, e cila për TV21 theksoi se subjekti i tyre është i regjistruar në mënyrë të rregullt në regjistrin qëndror, por sipas saj ka pasur një ndryshim të emërtimit në vitin 2013.

Ajo gjithashtu tha se nuk i kupton këto akuza që bëhen nga Janko Baçev, duke shtuar se edhe më parë ka pasur konteste të tilla me persona të tjerë, por që në fund drejtësia ka qenë në anën e saj.