Avokati i Popullit me iniciativë për jurisprudencën! BDI: Ligji për Gjuhët e rregullon çështjen

TË FUNDIT

Avokati i Popullit, Faton Selami, tashmë ka iniciuar nismë për harmonizimin e ligjeve që lidhen me provimet profesionale juridike, duke përfshirë jurisprudencën, noterinë dhe përmbaruesit. Ai thekson se deri tani ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar në vitin 2019, nuk është zbatuar në praktikë. Sipas Selamit, ligjet aktuale nuk parashikojnë mundësinë që provimet të jepen në gjuhë tjetër përveç maqedonase, gjë që krijon pengesa juridike dhe praktike për kandidatët shqiptarë, të cilët kanë përfunduar studimet juridike në gjuhën e tyre amtare.

“Konstatuam se kjo shkakton probleme juridike dhe praktike për kandidatët të cilët gjuhë amtare e kanë gjuhën shqipe, të cilët i kanë kryer studimet e tyre juridike në ciklin e parë dhe të dytë në gjuhën e tyre amtare dhe duke u nisur nga kjo dhe nga moszbatimi i deritanishëm i ligjit, u drejtuam me iniciativë konkrete për harmonizimin e këtyre ligjeve, që këto ligje të kenë implementim konkret”, tha Faton Selami, Avokat i Popullit.

Nga ana tjetër, Faton Pollozhani nga BDI thekson se Ligji për Gjuhët mundëson që studentët të japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Sipas tij, zbatimi i ligjit, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, ka avancuar ndjeshëm gjatë periudhës kur BDI ishte pjesë e Qeverisë.

“Zbatimi i Ligjit për Gjuhët, konkretisht i gjuhës shqipe dhe përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore në nivel qendror dhe në nivel lokal ka arritur në fazat e përdorimit më të madh në institucion. Mendoj se në përiudhën që BDI ka qenë në Qeveri qytetartë janë dëshmitarë sesa ka arritur niveli i përdorimit të gjuhës shqipe”, u shpreh Faton Pollozhani, BDI.

Ndërkohë, studentët, të pakënaqur nga moszbatimi i ligjit, kanë paralajmëruar një marsh protestues më 6 prill dhe bëjnë thirrje që qytetarët të u bashkohen, duke theksuar se rasti nuk duhet të politizohet nga partitë politike.