Seanca ankimore për shqyrtimin e ankesave për 33 të dënuarit në rastin “Lagja e Trimave” u zhvillua pa prezencën e të dënuarve. Avokatët e të dënuarve sot dhanë përfundime mbi vendimin e shkallës së parë. Avokati i disa prej te dënuarve në rastin e Kumanovës, Elenko Millanov, Gjykatës së Apelit i tha se rasti Lagjes së Trimave nuk ka lidhje me terrorizmin. Për tu konsideruar si e tillë, tha ai, duhej të ndodhnin sulme ndaj qytetarëve të pafajshëm apo institucioneve shtetërore. Ai tha se gabimi bazë gjatë kësaj procedure është tek prokuroria dhe kualifikimi i lëndës si terrorizëm.
“Nuk ka fakte dhe argumente të mjaftueshme që dëshmojnë se ky është akt terrorist. Është fakt se policia ka intervenuar në bazë të urdhrit, por nuk ka prova të sakta se kush ka filluar i pari të shtënat. Rezistenca ndaj policisë është diçka krejt tjetër nga terrorizmi. Vrasja e pjesëtarëve të policisë në këtë rast mund të kualifikohet me veprën “vrasje”, ku parashikohet i njëjti dënim dhe nuk ka çfarë të dëshmohet. Ekziston urdhëri për aksion, pastaj intervenim dhe rezistencë që nuk e mohon asnjë prej të akuzuarve, dhe janë policët e ndjerë”, theksoi Elenko Millanov, avokat.
Avokati Naser Raufi thotë se parakusht që të flitet për terrorizëm është që target të jetë popullata civile e që në këtë rast nuk është. Ai shton që edhe përkundër shumë shkeljeve ligjore qëndron arsyeja se pse duhet të hiqet aktvendimi i shkallës së parë.
“Ata prej në fillim patën thënë se ndjehen fajtorë që kanë ardhur në një shtet të huaj, me armatim, por në asnjë rast nuk pranojnë kualifikimin terroristë. Ata e ndjejnë veten si luftëtarë për të drejta, dhe unë pajtohem se nuk janë terroristë. Nuk ka asnjë të lënduar ose vrarë prej civilëve, dhe madje disa prej civilëve i kanë pritur tejet mirë qytetarët e Kosovës”, potencoi Naser Raufi, avokat.
Avokati Ibrahim Bajrami tha se lënda që në fillim duhej të kualifikohej si “organizatë guerile” por jo edhe “terroriste”.
“Nëse kualifikimi juridik ishte më adekuat edhe të akuzuarit në pajtim me këtë kualifikim juridik që në seancën e parë do të prononcoheshin në mënyrë të saktë. Ka elemente për rebelim të armatosur, të organizimit gueril, që në lidhje me sanksionit penal nuk ndryshohet nga sanksionimi penal që është parashikuar për një organizatë kriminele dhe për terrorizëm, megjithatë ndikimi do të ishte i ndryshëm edhe ndaj të akuzuarve edhe ndaj procesit gjyqësor në përgjithësi”, u shpreh avokati i të akuzuarve, Ibrahim Bajrami.
Vendimi për ankesat e shkallës së parë pritet të merret pas tre muajsh, pas përfundimit të seancës së Këshillit të Gjykatës së Apelit dhe të njëjtën e publikon.
Përgatiti: Valmira Zendeli

