Komanda Veriore e Mbrojtjes Ajrore e SHBA-së (NORAD) njoftoi se dje dërgoi avionë ushtarakë për të interceptuar pesë avionë rusë që fluturonin në hapësirën ajrore ndërkombëtare pranë bregut perëndimor të Alaskës, duke theksuar se avionët rusë nuk përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë.
Komanda tha se kishte vëzhguar dhe ndjekur dy bombardues rusë Tu-95, dy avionë luftarakë Su-35 dhe një avion spiun A-50 që fluturuan pranë Ngushticës së Beringut.
Si përgjigje, NORAD dërgoi dy avionë F-16, dy F-35, një E-3 dhe katër avionë tanker KC-135 për t’i interceptuar, identifikuar dhe shoqëruar avionët rusë jashtë kësaj hapësire ajrore.
“Avionët ushtarakë rusë qëndruan në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe nuk hynë në hapësirën ajrore sovrane të SHBA-së ose Kanadasë. Kjo aktivitet ndodh rregullisht dhe nuk konsiderohet kërcënim”, thekson NORAD.
Avionët rusë fluturuan pranë Ngushticës së Beringut, një rrugë ujore e ngushtë 80 kilometra që ndan Oqeanin Paqësor dhe Arktik dhe që njihet si Zona për Identifikimin e Mbrojtjes Ajrore të Alaskës.
Këto zona fillojnë aty ku përfundon hapësira ajrore sovrane. Edhe pse bëhet fjalë për hapësirë ajrore ndërkombëtare, të gjithë avionët duhet të identifikohen kur hyjnë në këto zona për arsye të sigurisë kombëtare, njofton NORAD.
Selia e NORAD-it ndodhet në bazën ajrore Peterson në Kolorado, por operacionet e tij në Alaskë zhvillohen në bazën e përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage.
