Autostrada Shkup–Bllacë ndez përplasjet politike! VLEN dhe BDI përplasen për meritat e projektit

TË FUNDIT

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, tha se me nënshkrimin e kontratës prej rreth 200 milionë eurosh për financimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë, projekti më në fund po hyn në fazën e realizimit. Ajo akuzoi qeveritë e kaluara se e kanë përdorur këtë projekt vetëm për premtime zgjedhore, ndërsa tha se gjatë mandatit të VLEN-it janë krijuar kushtet për zbatimin e tij.

“E premtuan në vitin 2008. E përsëritën në vitin 2011, në vitin 2014, në vitin 2017, në vitin 2020 dhe sërish në vitin 2023. Pas gjithë këtyre premtimeve, qytetarët panë vetëm rreth dy kilometra rrugë.

Për VLEN-in, patriotizmi matet me punë.  Pas shumë vitesh pritjeje, rruga Shkup–Bllacë më në fund kalon nga premtimi në realizim. Ky projekt hap një kapitull të ri për lidhjen me Kosovën, për qarkullimin e qytetarëve, për bizneset, për mërgatën dhe për zhvillimin ekonomik të rajonit”, u shpreh Kaltrina Zekolli – zëvendësministre e Transportit .

Ndaj Zekollit menjëherë reagoi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani. Në një postim në Facebook, ai tha se VLEN nuk ka asnjë kontribut në kontratën e nënshkruar, duke pretenduar se financimi, dokumentacioni, shpronësimet, procedurat administrative dhe tenderi janë përgatitur gjatë qeverisjes së BDI-së.

“Gjatë këtyre dy viteve, VLEN nuk ka bërë asnjë hap për ta çuar projektin përpara. Përkundrazi, e vetmja gjë që kanë tentuar ka qenë ta bllokojnë dhe ta devijojnë trasenë. Fakti që ne realizuam segmentin e parë prej 2 kilometrash ua pamundësoi ta kthenin projektin nga autostradë në rrugë magjistrale. Prandaj, për këtë projekt nuk mund të marrin merita ata që nuk kanë vendosur asnjë gur të vetëm”, theksoi Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Ndryshe dje u nënshkrua marrëveshja për financimin e autostradës Shkup–Bllacë, me grant prej 30.8 milionë eurosh dhe kredi prej 167.6 milionë eurosh. Punimet pritet të nisin në gusht dhe projekti, që do të zgjasë katër vjet, synon të përmirësojë lidhjen rajonale dhe zhvillimin ekonomik.