Gjermania është e gatshme ta vazhdojë prezencën diplomatike në Afganistan nëse talebanët i përmbushin kushtet, deklaroi mbrëmë shefi i diplomacisë Hajko Mas, transmeton Dojçe Vele.
“Duam të shohim një qeveri inkluzive në Kabul, t’i respektojë të drejtat themelore të njeriut, të drejtat e grave dhe Afganistani nuk duhet të bëhet bazë për terrorizëm ndërkombëtar”, tha Masi. Ai potencoi se nëse përmbushen këto kushte dhe nëse lejojnë kushtet e sigurisë, atëherë Gjermania është e gatshme ta vazhdojë praninë diplomatike në atë vend.
Paraprakisht edhe kancelarja Angela Merkel shfaqi shpresë se talebanët do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë. “Qëllimi ynë duhet të jetë ruajtja e e sa më shumë ndryshimeve të cilat i arritëm në Afganistan në 20 vitet e fundit”, tha Merkeli në Bundestag. “Talebanët tani janë realitet në Afganistan. Ky është një realitet i hidhur, por me këtë duhet të përballemi”, vlerësoi Merkeli.
Për dallim nga disa vende të cilat i mbyllën përfaqësitë e tyre diplomatike në Kabul, Rusia dhe Kina këtë nuk e bënë.
