Autoritetet e Kosovës “tërhiqen nga hetimet ndaj Insajderit”

TË FUNDIT

Kryeredaktori i gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi, ka deklaruar të shtunën për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës janë tërhequr nga hetimi ndaj këtij mediumi, lidhur me një shkrim të këtij mediumi, sipas të cilit, ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia ka refuzuar nënshkrimin e një kontrate me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit.

Sipas këtij shkrimi, të publikuar të premten, më 16 prill, “furnizimi me 500 mijë doza vaksinash Pfizer pritet të shtyhet deri në shtator”.

“Prokuroria është tërhequr pasi që drejtori i gazetës, Parim Olluri, bashkë më avokatin kanë shkuar në stacion dhe e kanë kërkuar vendimin për hetim, të cilin ata nuk ja kanë dhënë, dhe iu kanë thënë se ‘nuk kemi punë me ju.’ Policisë i është dorëzuar kopja e ligjit për mbrojtjen të burimeve edhe me kaq është kryer”, ka thënë Kajtazi.

Nga ana tjetër, as policia e as prokuroria nuk kanë njoftuar se a kanë përfunduar hetimet lidhur me këtë rast.

Çka ndodhi?

Prokurori i Shtetit ka njoftuar të shtunën se ka autorizuar Policinë e Kosovës në marrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për të iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndaj gazetës online Insajderi.org.

Gazeta Insajderi, të premten publikoi një shkrim rreth procesit të sigurimit të vaksinave kundër koronavirusit në Kosovë, si dhe korrespondencën ne mes të ministrit të Shëndetësisë dhe zyrtarëve tjerë, me përfaqësuesit e kompanisë Pfizer.

Në tekstin e publikuar thuhet se ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia ka refuzuar nënshkrimin e një kontrate me Pfizer, dhe se për pasojë është shtyrë furnizimi me vaksina nga kjo kompani.

Këtë e ka demantuar vetë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duke thënë se “lajmi i publikuar në gazetë është i pavërtetë, i dëmshëm dhe dashakeq”./REL