Auto shkollat u shtrenjtuan për 35%! Patenta e shoferit, nga 24.400, u rrit në 33.000 denarë

TË FUNDIT

Të rinjtë që duan të marrin patentë shoferi do të duhet të paguajnë 8.500 denarë më shumë, ose 35% më shumë. Auto shkollat e kanë rritur çmimin e trajnimit, kështu që për kategorinë B, nga 24.500 denarë sa ishte, tani arrin 33.000 denarë. Nga auto shkollat që i kontaktuam thonë se duhet të merrnin këtë hap për shkak të rritjes së shpenzimeve, pasi çmimi nuk ishte ndryshuar për dhjetë vjet.

“Çmimet u rritën nga 01.11. Ato nuk ishin rritur për 10 vjet. Kryesisht për shkak të inflacionit, jeta u bë më e shtrenjtë, nuk mund të mbahej më me ato çmime. Në mënyrë të përafërt, çmimet u rritën për 8.500 denarë, nga 24.500 në 33.000”, tha Aleksandar Stefanovski, pronar i autoshkollës.

Punët, licencat dhe mbikëqyrja mbi auto shkollat janë në kompetencë të MPB-së. Por vendimin për rritjen e çmimeve e morën të gjithë pronarët e shkollave të makinave njëzëri në një takim. Para 15 vjetësh ishte vendosur çmimi minimal nga shteti prej 19.300 denarë. Pas 10 vjetësh u rrit në 24.500, e tani arrin 33.000 denarë.

“Ne ishim të rregulluar, çmimin më të ulët e morëm para 15 vjetësh nga shteti, më pas vetë e rritëm, sepse nuk mund të mbahej më. Gjërat ishin ndryshe para 15 vjetësh, ndryshe para 10 vjetësh. Nafta u rrit, shpenzimet u rritën”, sqaron më tej Stefanovski.

MPB për TV21 thotë se ekziston një rregullore që përcakton çmimin minimal, miratuar në vitin 2016, dhe që nga atëherë nuk është ndryshuar.

Në çmim përfshihen 20 orë mësim teorik, që tani kushton 4.500 denarë, dhe 36 orë moto praktikë, që tani kushtojnë 28.500 denarë. Përveç kësaj, shoferët e ardhshëm duhet të paguajnë 1.500 denarë për përdorimin e automjetit të auto shkollës për provimin e pjesës së parë dhe të dytë praktike. Një orë shtesë për vozitje kushton 1.000 denarë. Këtyre shpenzimeve i shtohet edhe vërtetimi mjekësor prej 1.200 denarësh. Poligoni dhe vozitja në qytet kushtojnë secila mbi 2.000 denarë, dhe shpenzimet rriten në varësi të numrit të tentativave të dështuara të kandidatëve.