Fëmijët me autizëm kanë nevojë për përkushtim dhe dashuri, por njëkohësisht posedojnë potencial të madh zhvillimi, nëse diagnostikohen dhe trajtohen në kohë. Kështu u shpreh Afrim Bajrami, prind i një fëmije me nevoja të veçanta, i cili theksoi se përkundër rritjes së numrit të rasteve, mbështetja institucionale mbetet e pamjaftueshme, sidomos për shkak të mungesës së asistentëve profesionalë.
“E dyta edhe ato institucione që janë që kinse merren me fëmijë me nevoja të veçanta, fatkeqësisht një numër shumë i madh i tyre, nuk janë edhe aq profesionist ose nuk janë të kualifikuar sa duhet, ose janë dërguar atje pa dëshirën e tyre dhe duket sikur punën e tyre e bëjnë me detyrim, ka pengesa të jashtëzakonshme”, tha Afrim Bajrami – prind.
Nga ana tjetër, psikologu Arbër Kadriu theksoi se ekziston një frikë e tepruar tek prindërit për autizmin, ndërsa apeloi për diagnostikim të hershëm përmes profesionistëve.
“Vitet e para janë mosha 3 vjeçare ku zakonisht haset në problematika ose një abnormalitet sjelljesh tek fëmijët, moskontakti me sy, mandej te të folurit poashtu ka forma të ndryshme ku fëmijët ndonjëherë bëhen impulsiv, kanë hiperaktivitet poashtu kemi ndjenja të agresivitetit”, u shpreh Arbër Kadriu – psikolog.
Ndërkohë, përfaqësuesi institucional Ariton Rama ngriti dilemën për mungesën e një strategjie afatgjatë, duke pyetur se si do të integrohen këta persona në shoqëri dhe në tregun e punës pas moshës fëmijërore.
“Ne e kemi trajtuar vetëm situatën e fëmijëve autik por a e kemi garantuar që pas moshës fëmijërore ata nëse rriten si do t’ia bëjnë me jetën e tyre?! Si do të jetë procesi integrues i sistemit, si do të jetë elementi integrues në tregun e punës, a do të punojnë a do të zhvillohen, nuk do të ketë gjithmonë standart të brengës emocionale prindërore”, u shpreh Ariton Rama – përfaqësues institucional.
Këto çështje u diskutuan në aktivitetin “Autizmi në shoqëri – Ndërgjegjësimi dhe veprimi”, i organizuar në Komunën e Çairit, me synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e veprimeve konkrete për përkrahjen e personave me autizëm.
