Atdhe Nuhiu tërhiqet nga Kosova

TË FUNDIT

Atdhe Nuhiu nuk do të jetë më pjesë e Kombëtares së Kosovës. Në fakt, nuk bëhet fjalë për ndonjë vendim me karakter teknik, por është një vendim personal I sulmuesit që luan me APOEL Nicosian në Qipro. 31-vjeçari, i cili është aktivizuar në 19 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola për “dardanët”, e zyrtarizoi vendimin e tij në rrjetet sociale, duke mos treguar arsye konkrete që e çuan drejt kësaj zgjedhjeje.

Postimi i Nuhiut:

“Të dashur adhurues të Kombëtares së Kosovë, të dashur Bashkëkombës të mi!

Po ju drejtohem sot, për t’ju njoftuar se kam marrë vendimin më të vështirë në karrierën time si profesionist në futboll. Kam vendosur të ndaj me ju lajmin e tërheqjes sime nga Kombëtarja e Republikës së Kosovës, një ekipi me të cilin kam kujtime të jashtëzakonshme dhe momente të paharrueshme gjatë rrugëtimit 4-vjeçar.

Më kujtohet takimi i parë me udhëheqësit e Kombëtares së Kosovës, kur pranova me krenari të luaj për këtë kombëtare. Gjithmonë do të jem falënderues për kryesinë e Kombëtares, të gjithë bashkëlojtarët e mi, kryetarin Agim Ademin, nga i cili kishim mbështetjen maksimale edhe në kushtet më të vështira, ish-trajnerin Albert Bunjaku, me të cilin bashkëpunova nga dita e parë në kombëtare dhe qëllimin e vetëm e kishim të punojmë në mënyrë sa më profesionale e të ndërtojmë një ekip apo një kombëtare që e ëndërruan shumë gjenerata para nesh.

Sot, Kombëtarja e Kosovës ka një super ekip dhe shpresë për lavdi e suksese në arenë ndërkombëtare, madje duke dëshmuar se mund të konkurrojmë me kombëtare si Anglia, Spanja etj.

Dua të falënderoj, të gjithë fansat e kombëtares, të cilët kurrë nuk na lanë vet, në çdo ndeshje, në çdo udhëtim dhe në çdo moment.

Ju përqafoj të gjithëve dhe jeni në zemrën time përgjithmonë.”/SS