Kompania britanike-suedeze “AstraZeneka” në Japoni do të prodhojë më shumë se 90 milion doza të vaksinës, deklaroi sot zëdhënësi i qeverisë japoneze, pas shqetësimeve nëse vendi do të ketë doza të mjaftueshme për të filluar fushatën e vonuar të vaksinimit.
Kompania farmaceutike i ka konfirmuar Ministrisë japoneze të Shëndetësisë se do të prodhojë shumicën e vaksinave në këtë vend aziatik.
“Ne besojmë se është shumë e rëndësishme të jemi në gjendje të prodhojmë vaksina në vend”, tha Kacunobo Kato, sekretar i përgjithshëm i qeverisë.
Japonia, e cila varet nga prodhuesit e huaj, planifikon të fillojë vaksinimin masiv në fund të shkurtit, me vaksinën Fajzer, së pari për punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Qeveria urdhëroi gjithashtu edhe 120 milion doza të vaksinës të prodhuara nga AstraZeneka dhe Universiteti i Oksfordit, nga të cilat 90 milion do të prodhohen në Japoni dhe pjesa tjetër do të importohet.
“AstraZeneka” E filloi testimin e vaksinës AZD1222 në Japoni verën e kaluar dhe do ta prodhojë dhe shpërndajë atë në partneritet me kompaninë farmaceutike “Daiçi Sankio” dhe partnerë të tjerë vendas.
Prodhuesi britanik-suedez ende nuk ka kërkuar aprovimin e vaksinës nga rregullatori japonez, megjithëse provat klinike në Japoni kanë filluar përpara atyre të Fajzer.
Japonia përballet me pengesa serioze logjistike që ekspertët thonë se do të pengojnë përpjekjet e qeverisë për të vaksinuar shumicën e popullsisë përpara Lojërave Olimpike të Tokios në muajin korrik.
