Një dozë e vogël aspirine i ndihmon 50-vjeçarët të parandalojnë infarktin apo goditjen në tru. Por studimet e fundit thonë se aspirina mund të parandalojë edhe kancerin e zorrës së trashë.
Ekspertët thonë se doza e përditshme e aspirinës është e përshtatshme për një grup personash në të 50-at, të cilët kanë rrezik të lartë të sëmundjeve të zemrës dhe nuk shfaqin efekte anësore si gjakrrjedhja. Ndërsa për moshat mbi të 60-at, efektet e përdorimit të përditshëm të aspirinës zbehen,transmeton Politiko.
Trajtimi me aspirinë, thonë mjekët, u lejohet personave që kanë të paktën 10 % rrezik për infarkt ose goditje në tru dhe nuk vuajnë nga sëmundje të tjera që shkaktojnë hemorragji.
Kjo sepse një efekt anësor i njohur i përdorimit të zgjatur të aspirinës është hemorragjia në tru apo në traktin gastrointestinal.
Aspirina ndikon pozitivisht duke e bërë gjakun më të hollë, çka shmang koagulimin, duke reduktuar rrezikun e një infarkti apo goditjeje në tru.
Gjithashtu studimet kanë treguar se aspirina mund të ulë rrezikun e kancerit të zorrës së trashë, por organizatat e mëdha të shëndetit ende nuk e kanë rekomanduar përdorimin e saj vetëm për këtë arsye. Vendimi për përdorimin e saj sugjerohet të merret në bazë të shëndetit të zemrës së çdo pacienti.
