ASH PYET ADEMIN: A U SIGURUA MËSIMI NË GJUHËN AMTARE PËR NXËNËSIT E VELESIT!

TË FUNDIT

Departamenti i Arsimit pran partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët i ka drejtuar disa pyetje ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi në lidhje me gjendjen e arsimit dhe teksteve shkollore. Nga Aleanca për Shqiptarët pyesin se kur do të plotësohen kushtet ligjore që edhe nxënësit tonë të mësojnë me Abetaren mbarëshqiptare dhe se deri kur nxënësit shqiptar do të kalojnë kufirin për të mësuar në gjuhën shqipe dhe a u sigurua mësimi në gjuhën amtare për nxënësit e Velesit. Në vrejtjet e shumta në listë është futur edhe mos ndryshimi i emrave të shkollave në Çair.

Kumtesa e plotë e ASH-së:

Departamenti i Arsimit pranë Aleancës për Shqiptarët, duke pritur fshesën e paralajmëruar nga kryeministri Zaev, pyet ministrin për arsim Arbër Ademi:

–        Tre javë para përfundimit të vitit shkollor, kur do t’i furnizoni nxënësit me libra të cilët i presin gati tetë muaj? Tani veç ato nuk u duhen, por sadopak edhe ato të shohin nga cili libër duhet të punonin;

–        Vitin e kaluar u lavdëruat se mbi njëzet libra  shkollor u përmirësuan dhe që në fakt veç ua ndryshuat vendet faqeve. Pyesim për vitin e ardhshëm a do të punoni në këtë drejtim? Ose veç e kuptuat se u hetuan;

–        Deri kur nxënësit shqiptarë do të mësojnë me libra shkollor të përkthyer nga maqedonishtja dhe nga autorë maqedonas?

–        Vallë a do të botohet ndonjë tekst shkollor nga autor shqiptar dhe në gjuhën shqipe? Pastaj ky tekst të përkthehet në gjuhën maqedonase dhe  të vlejë edhe për nxënësit maqedonas;

–        Zoti ministër, vitin e kaluar me pompozitet të madh paralajmëruat sjelljen e ligjit të ri për arsim fillor dhe të mesëm, saqë versionin për shkollë fillore e plasuat para opinionit dhe pas një kohe e tërhoqët. Pyesim ku është ky ligj? Vallë mos e mori me vete ministrja e atëhershme Renata Deskoska?!

–        Emrat e ri  të dy shkollave të komunës së Çairit ngelën vetëm në tabelat në hyrje të shkollës. Sa kohë do tu duhet për të zbatuar vendimin e këshillit drejtues të shkollës dhe themeluesit-komunës? Vallë mos keni frikë prishjen e koalicionit?!;

–        Deri kur nxënësit shqiptar do të kalojnë kufirin për të mësuar në gjuhën shqipe dhe a u sigurua mësimi në gjuhën amtare për nxënësit e Velesit?

–        Deri kur do të shkohet me ekzibicionet, si ajo e ditës së sotme, ku paralajmërohen programe të reja nga lënda e muzikës? I nderuar muzika është individuale, e veçantë dhe i takon çdo kombi. Ne nuk jemi kundër të mësohet edhe muzika e popujve tjerë qoftë e popujve fqinjë, ballkanas, evropian ose botëror, por asnjëherë nuk mund të mësohet bashkë. Kjo sigurisht do të jetë kopje e librave të vjetër, vetëm duke i ndërruar faqet;

–        E hoqët testimin ekstern, që edhe ne e përshëndetëm. Pyesim ku i keni indikatorët tjerë të paralajmëruar që do të kontrolloj procesin edukativo-arsimor?

–        Kur do të plotësohen kushtet ligjore që edhe nxënësit tonë  të mësojnë me Abetaren mbarëshqiptare?

Në fund do të sugjerojmë, të përveshni krahët dhe të punoni në zgjidhjet e problemeve që i cekëm më lartë dhe jo të merreni me punë që u takojnë të tjerëve, që nuk kanë peshë dhe më shumë e fundosin procesin edukativo arsimor.

Departamenti i Arsimit

Aleanca për Shqiptarët