Omer Ajdini nga Aleanca për Shqiptarët para Ministrisë së Drejtësisë, kërkoi dorëheqjen e ministrit Mariçiq dhe zëvendësministrit Nuhiu. Kjo kërkesë vjen pasi që siç tha Ajdini kanë shkelur mbi gjakun e Almirit dhe mbi gjakun e popullit për t’i mbrojtur pozicionet ministrore.
“Jemi sot këtu para Ministrisë së (pa)Drejtësisë, për të shprehur indinjatën tonë të thellë lidhur me iniciativën e po kësaj Ministrie për të kërkuar falje për kriminelët dhe hajdutët në këtë shtet. Bie fjala për vrasësin e Almirit, Boban Iliç, për kriminelët që vodhën buxhetin e shtetit mbi 17 milionë euro si Sead Koçan e raste të tilla. Ky është kulmi dhe më nuk durohet. Këto janë njerëzit të cilët janë të gatshëm të shkelin mbi gjakun e Almirit, janë të gatshëm të shkelin mbi gjakun tonë, mbi gjakun e qytetarëve, vetëm për t’i mbrojtur pozitat e tyre ministrore. Bëhet fjalë për ministrin zëvendësministrin dhe gjithë udhëheqësin e kësaj qeverie. Sot para ministrisë së (pa)Drejtësisë hodhëm në mënyrë simbolike gjakun e atyre që e pësuan nga po këta kriminel në mënyrë që tu tregojmë se ata janë në gjendje të shkelin mbi këtë gjak për t’i mbrojtur pozicionet e tyre. Turp për ata dhe ne kërkojmë dorëheqje të menjëhershme nga ministri, zëvendësministri dhe gjithë udhëheqësja të cilat e kanë marrë këtë iniciativë për të kërkuar falje për këto kriminel”, tha Omer Ajdini nga Aleanca për Shqiptarët.
