Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka dërguar kritika sot deri te ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani për “keqpërdorim të fëmjëve afganë” të cilët ditë më parë arritën në Shkup.
“Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër keqpërdorimin e fëmijëve nga Afganistani nga Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, për motive të ulëta politike dhe vetë-promovimi në rrjetet sociale. Publikimi i fotografive dhe videove të fëmijëve dhe të familjeve të persekutuara politikisht, është mënyra më e vrazhdë e keqpërdorimit të fatkeqësive njerëzore dhe veçanërisht atyre të fëmijëve, si dhe rrezikim i drejtpërdrejtë i jetës së disidentëve politik afganë. Për të qenë ironia edhe më e madhe, shumë ekipe mediatike kanë informuar se nga kabineti i Osmanit janë ndaluar të ndjekin këtë ngjarje me arsyetimin se ka të mitur pamjet e së cilëve nuk guxojnë të publikohen. Kjo dëshmon edhe një herë nivelin tragjik në të cilin kanë rënë funksionarët e BDI-së për shkak të frikës nga humbja në zgjedhjet lokale dhe se ata nuk zgjedhin metoda për të fituar ndonjë votë, qoftë edhe duke abuzuar me fatkeqësinë njerëzore”, thuhet në reagimin e ASh-së, transmeton TV21.
