Aleanca për Shqiptarët akuzon Driton Ganiun, drejtor i shkollës fillore “26 Korriku” – Shuto Orizare për keqpërdorim të buxhetit. Sipas tyre po bëhen investime të panevojshme në renovimin e kësaj shkolle. Siç thonë nga kjo parti, para 2-3 viteve e njëjta shollë është rindërtuar dhe shtojnë se drejtori nuk posedon kushtet për të qenë drejtor sepse nuk i plotëson kushtet nga Inspektorati.
“Drejtori i kësaj shkolle i cili është vëllai i Kryetarit të Komunës së Çairit Visar Ganiu, pasi u emërua në mënyrë antiligjore me diktat të Ministrit për Arsim po vazhdon me keqpërdorimi e buxhetit të shkollës. Së fundmi ai ka filluar ndërtimin e rrethojave të shkollës pa asnjë nevojë dhe arsyetim sepse shkolla ka rrethoja metalike të ndërtuara para 2 viteve. I njëjti Drejtor ka filluar edhe fasadimin e shkollës por edhe ky investim është kryer para pak kohësh dhe fasada është tërësisht e re.”- deklaroi Astrit Aziri, anëtar i Forumit Rinor të Shuto Orizarës.
Ndërsa Drejtori Driton Ganiu vlerëson se ky renovim është i nevojshëm sepse siç tha fasada është para 13 viteve.
“Është si renovim i shkollës, nuk është e vërtetë se fasada është ndërruar para disa viteve, por është më shumë se 12-13 vite ose 15 vite. Në lidhje me rrethojën siç po e shihni edhe ju, rrethoja nuk ka anash dhe për shkak se mos të vendosim rrethojë të re anash që nuk shihen shumë, e kemi bërë para shkollë që të shihet rrethoja e re.”- deklaroi Driton Ganiu drejtor i shkollës fillore “26 Korriku”.
Përveç kësaj nga Aleanca për shqiptarët Ganiun e akuzojnë edhe për veturën tij të shtrenjtë, ndërsa siç thonë nga kjo parti arsimtarët tjerë mezi po mbijetojnë. Por drejtori Driton Ganiu shprehet se ka biznesin e tij privat me vetura dhe thekson që kjo nuk ka të bëjë me postin e tij si drejtor.
