ASH-AAA reagon për gjendjen e arsimit shqip, “shoqëria për të gjithë, vetëm demagogji”

TË FUNDIT

Në ditën e dytë të viti shkollor, opozita shqiptare, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka kritikuar gjendjen e arsimit shqip në disa vendbanime. Nga Aleanca për Shqiptarët sot rikujtuan se tre shkolla në vend dje nuk filluan me mësim. Naim Sinani nga kjo parti sloganin “një shoqëri për të gjithë” e quan demagogji.

 “Siç e dimë pra dje filloi viti shkollor në Maqedoninë e Veriut por jo për të gjithë nxënësit. Fatkeqësisht një mundësi të tillë nuk e patën nxënësit shqiptar të fshatit Bërnjancë, njëkohësisht mësimin nuk patën mundësi ta fillojnë ashtu siç dëshirojnë edhe fëmijët e Idrizovës dhe siç dihet problemi i vjetër me fëmijët e Bllacës ku siç dihet ata mësojnë në një shtet tjetër”, tha Naim Sinani nga ASH.

Reagime kanë ardhur edhe nga partia Alternativa, konkretisht për arsimin në Kumanovë, duke thënë se shkolla e mesme “Sami Frashëri” dhe “Nace Bugjoni” janë në kushte të mjerueshme.

 “Problemet e arsimit shqip në Kumanovë nuk kanë fund. Një problem tjetër, që pa dyshim është dëm i madh është partizimi i shkollave fillore dhe të mesme. Siç është tashmë evidente, gjatë këtij 4-vjeçari qeverisës ajo që mund të vërehet është se partia maqedonase, LSDM, dhe ajo shqipfolëse, BDI, i kanë futur duart thellë në shkollat shqipe dhe me presionin që e ushtrojnë arsimin shqip e dërgojnë drejt ngufatjes”, theksoi Ardian Jashari nga Alternativa.

Reagim ka ardhur edhe nga Aleanca për Shqiptarët, dega në Tetovë, të cilët e kanë quajtur improvizim hapjen e djeshme të shkollës në Reçicë të vogël nga disa zyrtarë të BDI-së. Sipas tyre, është keqpërdorur një grup fëmijësh dhe është mashtruar se shkolla është bërë gati për një vit. E vërteta është krejt ndryshe, thuhet në reagim, shkolla nuk hapet as këtë vit, përfundon partia opozitare.