Asgjësohen 300 tonelatë ushqime të pasigurta! Milanov: Në rast helmimi, nuk ka përgjegjësi AUV por shitësi

TË FUNDIT

Kryetari i AUV, Oliver Millanov në emisionin Biznes21 tha se ka shumë ushqime të pasigurta në Maqedoni dhe se nga korriku i vitit të kaluar deri më tani janë asgjësuar 300 tonelata. Sipas tij inspektorët janë ballafaquar me gjendje shqetësuese në lidhje me atë se sa dhe çfarë ushqime ofrojnë shitësit.

“Ëmbëlsira, bulmete, produkte të mishit të thatë, ushqim i përpunuar nga mishi, bëhet fjalë për ujëra minerale natyrore, mjaltë, fruta, perime. Mospërputhjet më të mëdha në lidhje me atë se çfarë ushqimi konsumojnë qytetarët janë operatorët e paregjistruar të ushqimit”, tha Oliver Millanov.

Megjithatë nëse qytetarët helmohen me ushqim të pasigurt, Milanov thotë se Agjencia nuk wshtw përgjegjëse. Sipas tij e njëjta ka për obligim të bëjë kontrolle, por përgjegjësi do të kërkohet vetëm nga shitësi. Shton se askund në botë nuk ka ushqim që është i sigurt për 100%.

-Kontrollin për sigurimin e ushqimit dhe çfarë ushqime konsumojmë e bën AUV.

-Pra ju mbani përgjegjësi nëse ndodh helmim masiv në një restorant ose te një operatori me ushqim?

-Jo, ne nuk mbajmë përgjegjësi, përgjegjësinë e ka operatori. Ne bëjmë kontrolle për sigurimin e ushqimit. Do të them se ne nuk mundemi të jemi të pranishëm gjithkund dhe të dimë se diku për momentin konsumohet ushqim i pasigurt. Askund në botë nuk ekziston.

Analiza e Biznes21 tregoi se në 5 vitet e fundit janë asgjësuar 1.142 tonelata ushqime të pasigurta. Së shpejti në tryezat e qytetarëve do të mund të gjendet edhe ushqim nga insekte siç është mielli nga krimba të vegjël dhe karkaleca. AUV ka regjistruar katër lloje që janë në listën europiane por tani për tani nuk janë importuar në vend.