Asambleja e Përgjithshme e KB-së miratoi rezolutën me të cilën kërkohet “menjëherë” tërheqja e ushtarëve rusë nga Ukraina, duke bërë thirrje për paqe “të drejtë dhe të përhershme”.
Për Rezolutën kishte 141 vota “Për”, shtatë “Kundër” (Rusia, Bjellorusia, Siria, Koreja Veriore, Mali, Nikaragua, Eritrea), ndërsa të përmbajtura ishin 32 vende, në mesin e të cilave Kina dhe India. Ukraina dhe aleatët e saj kishin shpresuar se rezoluta do të merrte të paktën 143 vota si në tetor 2022, kur u miratua një rezolutë që dënonte aneksimin e Ukrainës lindore nga Rusia.
Ashtu si rezolutat e mëparshme, të cilat të gjitha janë jo detyruese, edhe kjo riafirmon “angazhimin për integritetin territorial të Ukrainës” dhe “kërkon që Rusia të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës”.
“Për një vit nuk duhet të takohemi për të shënuar përvjetorin e dytë të kësaj lufte të pakuptimtë agresioni”, tha ministri japonez i Punëve të Jashtme, Joshimasa Hajashi para votimit, duke shpresuar për një “samit paqeje” në vitin 2024.
Por “Rusia nuk shfaq dëshirë për paqe… Ajo nuk njeh paqe përveç heshtjes së të vdekurve dhe rrënojave”, paralajmëroi kreu i diplomacisë franceze, Katrin Kolona, në ditën e dytë të debateve në Asamblenë e Përgjithshme ku mbrëmë u miratua rezoluta.
“Rusia po përpiqet të bindë disa prej jush se përpjekjet e saj për të prishur rendin botëror dhe për të vendosur një rend të bazuar në forcë do të funksionojnë në favor të tyre. Është një iluzion”, shtoi ajo dhe bëri thirrje për votim të rezolutës.
Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmitro Kuleba të mërkurën deklaroi se “asnjëherë në historinë më të re vija mes të mirës dhe të keqes nuk ka qenë aq e qartë”. “Një vend thjesht dëshiron të mbijetojë. Tjetri dëshiron të vrasë dhe shkatërrojë”, tha Kuleba, duke bërë thirrje për solidaritet të bashkësisë ndërkombëtare.
