As sot s’u miratuan protokollet arsimore, afati tashmë ka skaduar

TË FUNDIT

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, as në ditën e dytë të diskutimit për protokollet arsimore, nuk ka arritur të miratojë masat se si duhet të zhvillohet viti shkollor dhe a do të fillojë i njëjti nga 1 shtatori.

Prolongimi i vendimit, thuhet se bazohet në mosgjetjen e një qëndrimi se sa duhet të zgjasë ora mësimore, për të cilën duhet të ketë ndryshime ligjore të cilat duhet të votohen në Kuvend. Ndërkaq, Kuvendi ende nuk është funksional.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dje ka njoftuar se Protokollet tashmë janë përpiluar nga Komisioni për sëmundje ngjitëse, mbetet zbatimi i tyre në terren, dhe për këtë fjalën e fundit e ka MASh.

Nga ana tjetër, TV21 mëson se problemi kryesor qëndron në komunat, të cilat gjithashtu janë të përfshira në procesin e arsimit për pjesën e sigurimit të kushteve për mbajtje të distancës dhe higjienës në shkolla.

Deri në pritjen e një vendimi, tashmë afati i fundi ka skaduar. Sepse deri më 10 gusht duhej të silleshin protokollet, që shkollat të përgatiten për vitin shkollor që ai të fillojë nga 1 shtatori.