As pas 1 korrikut nuk mund të shkojmë në shtetet e BE-së?Dimitrov: Tash për tash pak shtete i plotësojnë kushtet

TË FUNDIT

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut rrezikohen që edhe pas 1 korrikut të mos mund të shkojnë në vendet evropiane. Shkak është vala e re e Kovid-19 dhe për këtë si shteti ynë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk mund t’i plotësojnë kushtet për të qenë në listën e bardhë të BE-së.

Siç thuhet në draft-versionin e Bashkimit Evropian, Këshilli i BE-së ka hartuar listën e bardhë e cila renditi vendet, qytetarët e të cilëve do të mund të lëvizin në shtetet e Bashkimit Evropina nga 1 korriku. Në listën e bardhë nuk gjendet Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia dhe Shqipëria. Në listën e bardhë janë shtetet e rajonit si Mali i Zi dhe Kroacia.

Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov nuk e demantoi këtë informacion por tha se vendimi ende nuk është përfundimtar dhe se konsultimet për këtë çështje vazhdojnë.

“Dje pata një video-takim me kolegët e Ballkanit të cilin e realizoi eurokomesari Oliver Varhejli. Mes tjerash, u diskutua edhe kjo. Eurokomesari tregoi se procesi i konsultimeve vazhdon, se vendimet do të jenë në bazë të kritereve objektive për pasqyrën epidemiologjike në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Nikolla Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme.

Dimitrov njoftoi se përveç Maqedonisë së Veriut, ka edhe shtete tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në listën e bardhë të BE-së.

“Dje kam pasur bisedë telefonike me ministrin për punë të jashtme të Austrisë, Shallenberg dhe disa burime të tjera. Mendoj se për momentin është e pakëndshme sepse ende nuk ka vendim, megjithatë për momentin pak shtete nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do t’i përmbushin kriteret që të jenë në listën e bardhë të BE-së, megjithatë të presim dhe të shohim”, tha Nikolla Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme.

Lista e bardhë pritet të finalizohet gjatë javës së ardhshme dhe e njëjta do të përditësohet çdo 14 ditë. Vendi ynë i ka hapur kufijtë nga dita e djeshme, por jo me të gjitha shtetet fqinje. Hyrje-dalje vendi ynë mund të ketë pa kushte me Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë, por jo edhe me shtetet anëtare të BE-së si Bullgaria dhe Serbia. Nga 1 korriku vendi ynë do t’i hapë edhe kufijtë ajror.