As avokati nuk dëshiron ta mbrojë? Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për katër vrasje nga Staro Nagoriçani

TË FUNDIT

Gjykata Themelore në Kumanovë e shtyu seancën kryesore gjyqësore ndaj 25-vjeçarit Trajçe Bojkovski, i akuzuar për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje.

Shtyrja erdhi pasi i akuzuari nuk u deklarua lidhur me aktakuzën, ndërsa avokati i tij hoqi dorë nga përfaqësimi. Gjykata do t’i caktojë një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Në fjalën hyrëse, Prokuroria Publike bëri të ditur se gjatë procedurës provuese do të përpiqet të vërtetojë të gjitha elementet e aktakuzës. Prokuroria paralajmëroi dëgjimin e viktimave që kanë mbijetuar, si dhe paraqitjen e provave forenzike dhe ekspertizave psikiatrike.

Trajçe Bojkovski nga Staro Nagoriçani akuzohet për katër vrasje. Aktakuza përfshin edhe dy tentativa për vrasje në fshatin Çellopek.

Tentativa e parë ka ndodhur më 22 korrik 2025, kur një grua arriti të kërkojë ndihmë dhe ta pengojë sulmuesin, i cili më pas u arratis.

Tentativa e dytë, sipas Prokurorisë, ka ndodhur më 9 shkurt 2026, kur i akuzuari hoqi dorë nga qëllimi për ta kryer veprën dhe u largua nga vendi i ngjarjes.