Artisti Alban Muja ka hapur ekspozitën e tij të radhës në Shkup, në Muzeun e Artit Bashkëkohor.
Muja veprat e tij i shpalosi për publikun, më datë 7 qershor të cilat do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 28 gusht.
Kuratori Vladimir Jançevski ka vlerësuar lartë punën e Mujës, duke treguar në aspekt ideor dhe artistik përmbajtjen e veprave të tij.
“Praktika artistike e Alban Mujës eksploron aspekte të ndryshme të strukturave që përcaktojnë çështje kombëtare, ideologjike, identitare dhe ekzistenciale, të cilat mund të mos jenë aq të dukshme. Veprat e tij shkojnë përtej përfaqësimit dhe rrëfimit të thjeshtë, duke u fokusuar gjithashtu në rolin që luajnë imazhet dhe media në ndërtimin dhe formësimin e narrativave dominuese në çështjet historike dhe qëndrimet ndaj identitetit. Disa nga projektet e Alban Mujës fokusohen në ndërtesa atipike, si shtëpitë modeste familjare që ngrihen në mënyrë të pakontrolluar mbi çati. Duke u thelluar në analizimin e këtij peizazhi jokonvencional të qytetit, si dhe duke marrë parasysh stagnimin urban dhe konturet e tij në zhvillim, Muja krijon një hartë të qytetit, e cila njëkohësisht dëshmon për dështimin e sistemit, si dhe për qasjen individuale “kreative” ndaj problemeve urbane.
Praktika artistike e Mujës reflekton dhe komenton shoqërinë bashkëkohore dhe vështirësitë e saj në një kontekst shumë specifik gjeopolitik. Duke përdorur pozicione specifike kritike të kombinuara me ironinë dhe me mendjemprehtësinë, veprat e tij artistike balancojnë hidhërimin që del nga sistemi gjeopolitik, social dhe artistik. Duke implikuar një vështrim dhe një sërë marrëdhëniesh strukturore, gjeografike dhe territoriale, artisti tërheq vëmendjen te popujt e këtij rajoni – si në vend, ashtu edhe në komunitetet e tyre jashtë vendit, të rrënjosura tradicionalisht në punën e ndërtimit, fenomenin e punës së emigrantëve dhe problemin e të qenit të privuarit nga mjetet sociale, siguria ekonomike dhe juridike.
Ekspozita e Alban Mujës në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup paraqet një përzgjedhje të punimeve të tij në periudhën ndërmjet viteve 2016 dhe 2023. E konceptuar si një përpjekje për të lidhur veprat plotësuese/komplementare që paraqesin dhe vëzhgojnë në mënyrë kritike gjendjen e përbashkët dhe shqetësimet tona të përbashkëta përtej kufijve, ekspozita fokusohet në jetën e përditshme, si dhe në përvojën e një situate të tranzicionit të detyruar dhe pasigurisë së zgjatur”, është shprehur mes tjerash Jançevski./TV21




