Artistë me shpirt të lirë/ Fitimin e kanë simbolik, por punën e bëjnë me shumë dashuri!

TË FUNDIT

Me një letër në duar e një palë gërshërë. Kaq i duhet Arbenit për të bërë një vepër arti në rrugë.
Edhe pse ka mbaruar Fakultetin e Arteve veten e quan “street artist” dhe profesionin e tij e ushtron në qytete të ndryshme.

“Ne jemi artista në rrugë, me gërshërë e vizatojmë profilin për një minutë si kujtim. Kush sa dëshiron paguan, varet sa ka mundësi. Po, një pagë mujore sa për ta kaluar muajin. Ndonjëherë edhe më shumë.”- thotë Arben Ejupi – Artist .
Nga ana tjetër ky është Predrag Tasiq, piktor autodidakt, i cili pikturat e tij po i shet në qendër të Shkupit. Edhe pse me profesion jurist, arti është pjesë e tij tash e 50 vite. Është i pensionuar, por prapëseprapë nuk mund të rrijë pa punuar, sepse siç thotë ai edhe pse 70 vjeç e ndjen vetën mjaft kreativ.
“T’ju them mendoj se nga kjo punë as në Paris nuk mund të jetohet, e lëre më tek ne. Shumë simbolike, por unë nuk mund të rri e të mos punoj, kjo është poenta sepse bezdia është sëmundje që shpërndahet si epidemi.”- tha Predrag Tasiq.
Si Predragi ashtu edhe Arbeni thonë se arti tek ne nuk vlerësohet shumë prandaj edhe fitimi nuk është aq i lartë, megjithatë punën e tyre e bëjnë me dashuri dhe kjo për ta ka vlerë më shumë se çdo gjë tjetër.