Se banorët e Drenasit po rrezikohen nga kanceri i cili po vjen nga tymi i Fabrikës së Ferronikelit, e mohon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, duke arsyetuar se matjet në cilësinë e pluhurit në territorin e Kosovës kanë rezultuar të jenë më të ulëtat në Drenas. Ministria e Mjedisit thotë se Fabrika e Ferronikelit është problemi më i vogël i ndotjes së ajrit që ekziston në Kosovë.
Sipas tyre ndotësit më të mëdhenj në Kosovë janë Trepça dhe KEK-u , kurse për to nuk bëhen publikime.
Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në një konferencë për media të thirrur sot për të sqaruar lidhur me ndotjen e ajrit në Drenas nga Fabrika e Ferronikelit, tha se duhet gjetur argumente, dhe vetëm atëherë do të mbyllet kjo fabrikë.
Morina tha se nga muaji janar-shkurt, kur edhe është ngritur problemi i Ferronikelit, Ministria e Mjedisit ka dërguar stacione mobile për matjen e ajrit, ku parametrat e këtyre stacioneve tregojnë që vetëm pluhuri ka tejkalime. Nga këto ka rezultuar që parametrat më të ulëta të pluhurit janë në Drenas.
Drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik, Latifete Latifi tha se nga monitorimet e organizatave joqeveritare të monitoruara nga instituti Hidrometeorologjik, për analizën e pluhurit në Drenas ka dalë se ky pluhur nuk ka prezencë të rrezikshmërisë nga metalet e rënda.
Asamblistët e Kuvendit Komunal të Drenasit, përfaqësues të fshatrave dhe përfaqësues të OJQ-ve, kanë protestuar sot para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për të shprehur shqetësimet e qytetarëve për rrezikun për shëndetin e tyre. Ata thanë se kjo ministri po bën “vrasje masive të njerëzve”, pasi që numri i të prekurve nga kanceri dy vitet e fundit ka shënuar rritje drastike.
Protestuesit bënë me dije se në protestën e ardhshme të pranishëm do të jenë edhe vetë qytetarët./kp/
