Arsovska tregon pse u ngadalësua puna te “Universalja”, LSDM e akuzon se është e paaftë!

TË FUNDIT

Kur TV21 e pyeti dje, kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, kategorikisht refuzoi të përgjigjet për sallën universale e cila gati 7 vite është jashtë funksioni. Sot shpjegoi se gabimet në projekt janë arsye për intensitetin e ulët në punë dhe se këto gabime, sipas saj, do të rrezikonin jetën e qytetarëve dhe punëtorëve.

“Gabimet dhe mangësitë në dokumentacionin e projektit që është përgatitur dhe pranuar nga udhëheqësit e mëparshëm të Qytetit të Shkupit është arsyeja e zvogëlimit të intensitetit të aktiviteteve për rindërtimin e sallës universale këtu në Shkup. Vazhdimi me të njëjtin intensitet të çdo aktiviteti ndërtimor të parashikuar nga projekti fillestar për rindërtimin e sallës universale do të thotë rrezik për sigurinë e qytetarëve”, tha Arsovska.

E para e kryeqytetit akuzon udhëheqësit e mëparshëm se kanë vazhduar me aktivitetet ndërtimore duke i ditur problemet dhe pa u kujdesur për sigurinë e objektit.

“Do të dëshiroja që tash t’i bëj thirrje ministres së Kulturës si përfaqësuese e Qeverisë dhe zëdhënësit të partisë në pushtet të cilët duan të mbledhin pikë politike për probleme të cilat vetë i kanë krijuar, të ndalojnë me informacione të cilat shërbejnë për manipulimin e opinionit”.

Ministrja e Kulturës dje u shpreh se nuk ka kurrfarë problemi me projektin për Universalen. Ndërsa nga partia në pushtet, LSDM thonë se Arsovska nuk po di si ta mbroj veten për paaftësitë e saj, andaj pasojnë gënjeshtrat.

“Pas ndërprerjes së projektit për ndërtimin e Sallës Universale dhe heshtjes dymujore për arsyet pse e ndërpreu projektin, sot doli me një gënjeshtër të plotë në publik. Është krejtësisht e pavërtetë që projekti për ndërtimin e Sallës Universale është i pasigurt. Projekti është bërë profesionalisht dhe miratuar përmes disa procedurave nga ekspertë dhe është plotësisht i sigurt”, thanë nga LSDM.

Përndryshe, kryetarja e qytetit pohon se ky projekt do të vazhdoj të zbatohet ashtu siç duhet, por me zgjidhje të sigurt për qytetarët, ndërsa intensiteti i punës do të rritet pasi të mënjanohen problemet e detektuara.