Arsovska: Personat e shkarkuar nuk vinin në punë/ Të larguarit nga “Higjiena Komunale” akuzojnë për pazare partiake

TË FUNDIT

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska thotë se kontratat e 33 të punësuarve në “Higjienën Komunale” nuk janë vazhduar sepse udhëheqësia e ndërmarrjes nuk ka qenë e kënaqur nga angazhimi i tyre dhe për arsye se personat në fjalë nuk janë paraqitur në vendin e tyre të punës, e jo për shkak se janë shqiptarë. Bëhet fjalë për persona që rregullisht merrnin rrogë, e me vite me radhë nuk vinin në punë, shton ajo. Arsovska porosit se ky parim do të zbatohet jo vetëm në këtë institucion, por në çdo ndërmarrje tjetër ku ka shembuj të këtillë.

“Bëhet fjalë për persona që nuk vinin dhe nuk kryenin detyrat e tyre të punës, kurse shumica prej tyre fare nuk janë paraqitur në vendin e tyre të punës. Kudo që ka raste të tilla devijuese me njerëz që nuk paraqiten në vendet e tyre të punës dhe nuk i kryejnë detyrat e tyre të punës, nuk do të thotë vetëm se nuk vijnë në punë, por ka një numër të madh njerëzish që vijnë dhe rrinë për 8 orë dhe nuk bëjnë asgjë.”- deklaroi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit Të Shkupit.

Para se të japë këtë deklaratë kryetarja Arsovska, personat të cilëve u janë ndërprerë kontratat, dërguan kumtesë duke akuzuar se janë shkarkuar për shkak të pazareve politike, e jo për shkak të mosardhjes në punë.

“Rregullsia jonë mund të vërtetohet lehtë nëpërmjet kamerave të sigurisë dhe nënshkrimeve nëpër listat evidentuese të punëtorëve, sa i përket sistemit elektronik qëllimisht nuk u jepen të gjithëve kartelat e nevojshme pikërisht për manipulime të këtilla! Të gjitha vendet e punës nga largimi jonë do të mbushen me militantë partiakë, sepse ky edhe ishte qëllimi.”- thonë të shkarkuarit nga NP “Higjiena Komunale”.

Për shkarkimet, Arsovska ka marrë edhe paralajmërim në rrjetet sociale, nga zëvendësdrejtori i të Ardhurave Publike, Abdulselam Selami që vjen nga radhët e BDI.  

“Danella mos mendo që ke gjet “mal pa ujk” dhe mund të bësh çfarë të duash! Taksat për pronë, pagesa për ujë, higjienë komunale, parqe dhe gjelbërim janë pagesa po që nga të njëjtët qytetarë që JU zonjë e nderuar sipas kësaj qeverisjes tuaj po i leni pas dore dhe po i trajtoni si qytetarë të rangut të dytë, si në udhëheqësi ku nuk keni paraparë asnjë kuadro shqiptarë në Drejtorit ku menaxhon Komuna e Qytetit të Shkupit, por edhe kohën e fundit ke filluar edhe punëtorët shqiptarë ti largosh nga puna! Sallamadin mund ta tregoni në Sektorin privat apo në kompaninë tuaj prej nga edhe vini, por Jo edhe me paratë publike të qytetarëve të Shkupit!”- deklaroi Abdual-Selam Selami, zëvendësdrejtor i DAP.

Arsovska këtë e ka marrë si kërcënim dhe thotë se kjo nuk duhet lejuar, kurse sa i takon asaj nëse e respekton përfaqësimin etnik gjatë punësimit, kryetarja pohon se në Qytetin e Shkupit nuk shihet përkatësia, por si dhe a punon një person.

“Mendoj se kërcënimet e çdo lloji nuk duhet të lejohen nga askush në shoqëri e aq më pak dikush t’i stimulojë, siç e pamë gjatë ditës së djeshme nga qeveritarët dhe njerëzit që kryejnë funksione të larta. Ligji ekziston për t’u respektuar, ka një balancues që respektohet. Mirëpo, unë personalisht si kryetare nuk bëj dallim për asnjë banor të Shkupit në asnjë bazë, as etnike, e as fetare. Unë bëj dallim vetëm mes njerëzve që e bëjnë punën e tyre dhe u shërbejnë shkupjanëve.”- tha deklaroi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit Të Shkupit.

33 të punësuarve në “Higjienën Komunale” me vendim të drejtoreshës së kësaj ndërmarrjeje, Kosana Mazneva, por edhe të kryetares Danella Arsvoska nuk u janë vazhduar kontratat e punës.