Arsimtarëve nuk u figuron përvoja në listat e pagave, reagon sindikata

TË FUNDIT

Listat e pagave të mësimdhënësve të komunës së Ferizajt për muajin gusht janë bërë shkak i një përplasjeje të mërkurën në mes degës së Sindikatës së Arsimit të Ferizajt dhe autoriteteve komunale të arsimit.

Krejt kjo ka nisur kur një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve e ka kuptuar se nga listat e fundit të pagave u janë hequr vitet e përvojës së punës. Menjëherë ka ardhur edhe reagimi sindikal përmes kryetarit të degës, Rexhep Sadiku, i cili edhe ka kërkuar llogari nga institucionet për këtë lëshim.

“Kur po pritnim që viti i ri shkollor të fillonte normalisht, doli një bllokadë e cila nuk dihet a është e qëllimshme apo e paqëllimshme, ku punëtorëve të arsimit u hiqet përvoja e punës. Ne, si sindikatë kemi reaguar menjëherë dhe në kontaktet që kemi pasur edhe me zyrtarët e Ministrisë na është thënë se ky është një gabim teknik I cili ka ndodhur në Ferizaj”, tha Sadiku, duke e vlerësuar këtë situatë si një provokim të radhës nga ana e institucioneve.

“Kam kontaktuar edhe më drejtorinë e arsimit në Ferizaj dhe më është thënë se është një gabim teknik. P ërvoja e cila figuron në listat e pagave duket sikur dikush ka dashur të provokojë punëtorët e arsimit mu në prag të vitit shkollorë. Stop provokimeve”, theksoi Sadiku .

I pari i sindikatës ka kërkuar që me urgjencë të përmirësohen këto lista, në të kundërtën, sipas tij, nuk përjashtohen edhe veprimet sindikale

“Nëse nuk bëhet përmirësimi i këtyre listave, ne si sindikatë do të veprojmë më të gjitha mjetet sindikaliste që kjo gjendje të kthehet ashtu siç duhet të jetë, pra të llogaritet përvoja ashtu siç është e paraparë e jo maksimumi të jetë 12 vite, e i cili numër nuk dihet se nga ka ardhur dhe se çka është marrë për bazë, nëse nuk është ndonjë gabim siç thuhet teknik”, ka thënë Sadiku.

Në anën tjetër drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Muhamet Halili, ka thënë se është në dijeni për këtë problematikë me vitet e përvojës së punës, ndërsa ka shprehur habinë se pse ka ard hur deri te një lëshim i tillë.

“Pas marrjes së listave të pagave nga drejtorët e shkollave kemi hasur në një dukuri ku është vërejtur se në shumicën e rasteve është hequr përvoja e punës pjesërisht. Menjëherë si drejtori kemi kërkuar nga drejtorët e shkollave që të kthejnë regjistrat e pagave. Do të kërkojmë nga Ministria e Shërbimeve Publike që të bëjë përmirësimin e listave. Sa kam njohuri kjo është një gabim teknik, pasi që kjo në muajt e mëparshëm ka qenë e rregulluar. Ne, do të kërkojmë sqarim nga #ministria dhe do të shohim se a bëhet fjalë për gabim teknik apo është në pyetje diçka tjetër” ,tha Halili.

Ndryshe, bëhet e ditur se nëse ka pasur ndonjë gabim teknik atëherë pritet që listat shumë shpejt të përmirësohen dhe mësimdhënsit të kompensohen në mënyrë retroaktive.