Arsimtarët nuk do ta përmbyllin vitin shkollor në qoftë se nuk u paguhet pagesa shtesë për shkak rritjes së vëllimit të punës gjatë pandemisë. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov paralajmëroi grëvë ndërsa shtoi se institucionet e sistemit nuk e njohën rritjen e vëllimit të punës së mësimdhënësve gjatë pandemisë dhe i injorojnë ata dhe nevojën e kësaj shtese së pagës.
“Kumanovë një shkollë ka marrë vendim, drejtori është informuar me shkrim për vendimin e marrë. Me siguri sot apo nesër edhe shkollat e tjera në Kumanovë dhe rajonin e Kumanovës do të marrin një vendim të tillë. Edhe në shkollat tjera mbarë Maqedoninë do të veprojnë në pajtim me rekomandimet tona dhe shembullin e Kumanovës. Bëhet fjalë për rreth 50 shkolla në nivel kombëtar”, deklaroi Nedellkov.
Nga MASH thonë se ata ndajnë buxhet për pagesat shtesë të arsimtarëve.
“MASH rregullisht dhe në kohë i paguan bllok-dotacionet te vetëqeverisjet lokale, në përputhje me dinamikën me të cilën ata i dorëzojnë kërkesat. Gjithashtu MASH-i në muajin tetor dërgoi letër deri te të gjitha shkollat me të cilën i kujtoi për detyrimet ligjore për mësimdhënësit që kryejnë detyra më tepër se fondi i plotë i orëve duhet t’u paguhet kompensim për punën jashtë orarit, për të cilën janë siguruar mjetet”, thonë nga MASH-i.
Ndryshe në periudhën e pandemisë arsimtarët kanë punuar me plan të ri arsimor. Në pajtim me protokollet dhe planin e punës të gjitha klasat të cilët kishin numër më të madh të nxënësve u ndanë në dy grupe, gjegjësisht në dy klasa pasi që numri i nëxënësve nuk mund të jetë më i madhe se 15 nxënës.
