Ministria për punë të jashtme tashmë po e shqyrton Udhërrëfyesin për plotësimin e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja me Bullgarinë. Kryeministri Zaev thotë se po bëhen përpjekje për avancimin e bashkëpunimit mes sektorëve si përgjigje që shteti të përgatitet për konferencën e ardhshme ndërqeveritare dhe se garancitë kanë të bëjnë me zbatimin më efikas të marrëveshjes dypalëshe.
“Kur flet Bullgaria për garancitë, flasim edhe ne, për të mirën e të dy popujve dhe dy shteteve, që është realizimi më efikas i Marrëveshjes, që do të thotë të përshpejtohet ndërtimi i hekurudhës mes Kumanovës dhe kufirit bullgar, nga ana tjetër nga Bullgaria deri te vendkalimi kufitar Kllepallo, në Berovë. Për mua është e rëndësishme që të inkurajohen për shkak se atë që kanë mundësi kushtetuese që të sjellin vendim edhe gjatë Qeverisë teknike”, deklaroi Zaev.
Kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski pohon se po udhëhiqen bisedime të fshehta.
“Buçkovski në Sofje ndërsa Zaev nga Shkupi, këto ditë po koordinojnë negociatat të fshehta ku ofrohet që Deklarata e miratuar nga Parlamenti Bullgar të bëhet pjesë e kornizës negocuese me Bashkimin Evropian. Një pjesë e këtij dokumenti e konteston gjenezën e gjuhës maqedonase, kërkon revizion të historisë dhe periudhës së luftës tonë antifashiste, si dhe përvetësim i figurave të rëndësishme nga historia maqedonase si bullgarë”, tha Mickoski.
Ish -ambasadori i Maqedonisë në Sofje, Marjan Gjorçev, tha se Bullgaria nuk do të heqë dorë nga kërkesat e tyre. Sipas tij, BE-ja duhet t’i vendosë kufijtë për kërkesat bullgare.
“Në lidhje me Marrëveshjen, shteti maqedonas ka vepruar në mënyrë joparimore, nuk është konsultuar me ambasadën, që do të thotë se nuk është konsultuar me ambasadorin rreth termit “histori e përbashkët dhe jobarazi e trajtimit të minoriteteve”. Ne pranojmë se ka qytetarë maqedonas që deklarohen si bullgarë, që është normal, mendoj sipas Konventës evropiane, por Bullgaria nuk pranon se ka qytetarë bullgarë që deklarohen si maqedonas. Këtu qëndron problemi, termi “historia e përbashkët” dhe jobarazia”, ne jemi ulur në karrige më të ulët kur bëhet fjalë për minoritetet dhe këto janë dy problemet”, vlerëson Gjorçev.
Bullgaria për momentin ka qeveri teknike e cila duhet t’i realizojë zgjedhjet në korrik, ndërsa në këshillin për çështje të përgjithshme i BE-së, do të dihet nëse Maqedonia do t’i fillojë negociatat ose përsëri do të marrë bllokadë nga fqinji lindor.
