Personi që dyshohet se la bombën të dielën dhe e cila shpërtheu në rrugën e Stambollit “Istikal” është arrestuar, deklaroi sot ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, raporton Anadolu.
Në lidhje me: Shpërthimi në Stamboll, policia arrestoi dhjetëra të dyshuar
“Sipas vlerësimeve tona, urdhri për sulmin vdekjeprurës terrorist ka ardhur nga Ayn al-Arab në veri të Sirisë, ku është selia siriane e PKK/YPG-së”, tha Soylu.
Ai konfirmoi se Turqia do të vazhdojë me luftën e saj të vendosur dhe të justifikuar kundër terrorizmit.
“Ne do të marrim hak ndaj atyre që janë përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm terrorist”, shtoi ministri turk.
Soylu konfirmoi se në sulm humbën jetën 6 persona ndërsa 81 të tjerë u plagosën.
Ai bëri të ditur se 50 të plagosur janë liruar nga spitali ndërsa 5 ndodhen në repartin e kujdesit intensiv. Dy të plagosur janë në gjendje kritike.
Media turke kanë shpërndarë disa fotografi, ku pretendohet të jetë gruaja e cila dyshohet se ka vendosur bombën.


