Arrestohet një profesoreshë e Universitetit të Shtipit, dyshohet se mori ryshfet nga një student

TË FUNDIT

Një profesoreshë 39-vjeçare në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip është arrestuar nën dyshimet për marrje ryshfeti.

Sipas njoftimit të policisë, studenti K.B. (26), shtetas i Turqisë me qëndrim të përkohshëm në Shtip, kishte denoncuar më 22 qershor se profesoresha i kishte kërkuar 300 euro për ta kaluar provimin, të cilin duhej ta jepte sërish më 29 qershor.

Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shtip, policia i dorëzoi studentit tri kartëmonedha prej 100 eurosh, të përpunuara për nevoja hetimore. Profesoresha u arrestua menjëherë pasi mori paratë.

Ajo është ndaluar në stacion policor, ndërsa paratë janë sekuestruar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj saj do të parashtrohet kallëzimi përkatës penal.