Arrestohet një mjek në Kosovë, dyshohet se me histori të rreme e shpëtoi ish-kryetarin e Kllokotit nga gjyqi

TË FUNDIT

Një mjek me inicialet B.A. është ndaluar për 48 orë pasi dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën e tij. Prokuroria Speciale njoftoi të enjten se i arrestuari, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Ndërkaq, KOHA merr vesh se i arrestuari, Bekim Ademi, kirurg vaskular në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, dyshohet se kishte hapur një histori të rreme në spital për një qytetar serb, i cili KOHA mëson se është ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Bizodar Dejanoviq. Sipas burimeve, kjo dyshohet të jetë bërë me qëllimin që serbi, i cili thuhet se mban pozitë publike, ta përdorë “shtrirjen në spital” si arsyetim për t’iu shmangur daljes në gjykatë.

Madje, burimet kanë thënë se policia ka qëndruar në këtë repart për plot tre ditë. Siç ka mësuar KOHA, Ademi i kishte hapur historikun këtij serbi të dyshuar kinse është i spitalizuar në QKUK më 28 gusht për trombozë, por hetuesia ka dëshmi dhe e ka fotografuar ato ditë në kafiteri.

Me aktvendim të prokurorit i dyshuari B.A është dërguar në mbajtje për 48 orë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë./KOHA