Arrestohet lideri i ekstremit të djathtë pas incidenteve te Presidenca e Serbisë

TË FUNDIT

Policia në Serbi e ka arrestuar të enjten Damjan Knezheviqin, liderin e organizatës së krahut të djathtë “Patrulla Popullore” dhe dy anëtarë të asaj organizate, pas incidenteve të një nate më parë te Presidenca e Serbisë.

“Patrulla Popullore” e ka organizuar marshin protestues në Beograd të mërkurën, 15 shkurt, në të cilin u është kërkuar autoriteteve në Beograd që të tërhiqen nga negociatat me Kosovën.

Pjesëtarët e xhandarmërisë i kanë parandaluar protestuesit nga hyrja në ndërtesën e Presidencës së Serbisë.

Protestuesit janë parë duke i hequr ndalesat rreth Presidencës dhe individët kanë hedhur vezë në ndërtesë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur të enjten, se në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit, si dhe Zyrën e Prokurorit në Beograd dhe Novi Sad, janë arrestuar tre persona.

Duke cituar inicialet, Ministria ka thënë se ata janë arrestuar sepse “ka dyshime që kanë kryer shkelje penale, duke bërë thirrje për ndryshim të rendit kushtetues në mënyrë të dhunshme”.

Njëri prej të arrestuarve është akuzuar edhe për posedim apo bartje të armëve dhe pajisjeve shpërthyese.

Të tre janë akuzuar për thirrje ndaj qytetarëve që të mblidhen në Beograd dhe që dhunshëm të rrëzojnë Qeverinë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas autoriteteve, ndaj tyre është zbatuar masa e ndalimit prej 48 orësh.