Arrestohet Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike Jahi Jahiu. Tentuam të marrim detaje nga ambientet e tij të punës, por nuk na lejuan.
“Kjo është hapësira ku sekretari shtetëror në Ministrinë e Informatikës i ka zyrat për momentin ai nuk ndodhet këtu për shkak së është arrestuar nga policia orët e mëngjesit, ndërsa policia vazhdon të inspektojë në zyrën e tij. Neve nuk na lejojnë që të futemi brenda për shkaqe sigurie dhe për shkak se vazhdon procedura e hetimit nga organeve të rendit”, Agron Vrangalla, gazetar.
Edhe në tentativën e dytë askush nuk foli.
Përveç Jahiut nga Likova, i dyshuar është edhe një person tjetër J.G. 52 vjeçar nga Shkupi. Policia sqaroi akuzën.
“Të dyshuarit si zyrtarë, në periudhë nga qershori i vitit 2014 deri në gusht të vitit 2015 nga një person juridik nga Italia përmes ndërmjetësuesve – shtetasit italian (këshilltar në personin juridik) dhe shtetasit të Anglisë – (partner biznesi i personit anglez juridik me zyrë në Shkup), kanë marrë dhuratë – udhëtim jashtë vendit në tre raste, me vlerë prej 7.000 eurove për të kryer një veprim zyrtar të cilin nuk guxonin ta kryenin”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
I dyshuari i dytë ndodhet jashtë shtetit, sqaron Prokuroria.
“Duke gjykuar se kushtet janë plotësuar, prokurori publik kompetent deri te gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Penale-Shkup, ka dorëzuar propozim për përcaktimin e masës – paraburgim për të dyshuarin e parë, i cili në vitin 2005 ishte ndjekur për veprën penale “keqpërdorim i së drejtës së votës” sipas Nenit 161 dhe në lëndën e njëjtë ishte dënuar me gjobë në para për shkeljen e së drejtës së votës sipas Nenit 159 të Kodit Penal. I dyshuari i dytë për momentin nuk është në territorin e vendit tonë”, thonë nga Prokuroria.
Lënda ka përmasa ndërkombëtare. Përveç bastisjeve në Maqedoninë së Veriut bastisje janë bërë edhe në Republikën e Italisë, edhe atë tek 8 persona juridik. Ministria Brendshme përkohësisht ka konfiskuar 10 kompjuterë, USB dhe mikro SD kartela, celularë, tablete, dy armë, para dhe dokumente zyrtare. Hetimi penal është zbatuar në mënyrë aktive gjatë dy muajve të kaluar në bashkëpunim me Prokurorinë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme me organizatat ndërkombëtare OLAF dhe EURODREJTËSI, si dhe me disa vende të ndryshme siç janë Italia, Holanda, Rumania dhe shtete të tjera evropiane. dhe është e iniciuar nga Shërbimi evropian kundër mashtrimeve – OLAF.
Përgatiti: Agron Vrangalla
