Arrestohen pesë ish ushtarë në BeH, dyshohen për krime lufte

TË FUNDIT

Pesë ish-ushtarë janë arrestuar në Sarajevë, nën dyshimet se kanë kryer krime kundër civilëve serbë, që ishin të burgosur gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1994, ka njoftuar agjencia për Hetime dhe Mbrojtje e Bosnje e Hercegovinës (SIPA).

Dyshohet se të paktën tetë civilë janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur nga pesë ushtarët, që po akuzohen për burgosje të paligjshme, torturë, abuzim, punë të detyrueshme, keqtrajtim fizik dhe mendor, si dhe vrasje.

Civilët e burgosur thuhet se ishin mbajtur ilegalisht gjatë periudhës së luftës në kampe të të burgosurve, që gjendeshin në objektin e një shkolle dhe në një ndërtesë të papërfunduar në Sarajevë.

“Të pandehurit akuzohen me vrasjen e të paktën tetë civilëve të cilët kishin qenë të burgosur. Në mesin e të dyshuarve ka edhe keqbërës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt në vrasje”, u tha në deklaratë.

SIPA tha po ashtu se policia serbe ishte pjesë e operacioneve teksa disa nga viktimat tani jetojnë në Serbi.

Mbi 100,000 persona u vranë gjatë konfliktit në Bosnje, që përfundoi pas arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që ndau administratën e shtetit në linja etnike në mesin e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve.

Ky është operacioni i tretë në dy javët e fundit për arrestimin e të dyshuarve për krime të luftës.